Paralajmërim në territor të Ukrainës për mina tokësore - Foto: REL

Gratë ukrainase stërviten në Kosovë për të deminuar vendin e tyre

Gjashtë gra ukrainase kanë filluar trajnimin e deminimit në Kosovë për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.

Ato janë grupi i parë që po trajnohen nga kompania private ‘MAT Kosova’, raporton AP dhe transmeton media australiane ABC.net.au.

Instruktorët po u mësojnë atyre se si të asgjësojnë mjetet e pashpërthyera, fushat e minuara dhe mbetje të tjera shpërthyese.

Trajneri Artur Tigani tha se Kosova ende e kujton luftën që ndodhi në Kosovë në vitet e 90’ta.

“[Ajo që kemi] është ende e freskët në kujtimet tona, edhe pse ka kaluar rreth 23 vjet tani. Është ende e freskët në kujtimet tona, vështirësitë që takuam kur filluam pastrimin në Kosovë. Kështu që qendra e trajnimit është ndërtuar mbi përvojën tonë dhe është si përvojë e dorës së parë”, tha Tigani.

Njëra nga vajzat e trajnuara, Anastasiia Minchukova, 20 vjeçare, tha se ajo po ëndërron për paqen.

“Për të fjetur në shtratin tim, pa u shqetësuar se do të shkoja në strehimoret e bombave gjatë gjithë kohës. [Në Ukrainë] ka një kërkesë të madhe për njerëzit që dinë të bëjnë çminim sepse lufta do të përfundojë së shpejti. Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë. Mendoj se do të jem e dobishme, absolutisht”, tha ajo.

Yuliia Katelik, 38 vjeçare dhe nënë e tre fëmijëve nga Kramatorsk, tha se donte të ishte në gjendje të mbronte fëmijët dhe të gjithë njerëzit./ABC.net