Gratë, sërish të nënpërfaqësuara në listat zgjedhore

Gara e re zgjedhore në fillimin e dekadës së re, nuk ka sjellur risi sa i përket barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve për deputetë.

Listat zgjedhore të subjekteve politike edhe në këto zgjedhje janë të dominuara nga burrat, ndërsa gratë nuk janë të përfaqësuara barabartë 50/50 sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

Të gjitha subjektet politike janë kujdesur për respektimin e  kuotës 30 për qind për përfaqësim të grave e cila kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Sipas Institutit D4D,  partitë po e anashkalojnë ligjin që kërkon përfaqësim të barbartë mes grave dhe burra në lista, duke krijuar edhe nënpërfaqësim të grave në Kuvend.

“Gratë në Kosovë mbesin të nën përfaqësuara fillimisht në listat zgjedhore e më pas edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës si Deputete. Subjektet politike përpilimin e listave zgjedhore e bëjnë në bazë të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke anashkaluar Ligjin nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore”, thuhet në reagimin e D4D.

Sipas D4D, edhe në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në vitin 2019 të gjitha subjektet politike të certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, kanë respektuar vetëm kriterin minimal të përfshirjes së grave në lista me vetëm 343 gra kandidate nga gjithsej 1,067 sosh.

Momentalisht listat e kandidatëve të disa partive si Lëvizja Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa parti nga komunitetet jo shumicë, janë në proces të ankimimit për shkak se nuk u certifikuan nga KQZ, vendime këto që u miratuan edhe nga PZAP-ja.

Megjithatë, në listat e publikuara nga partitë kur zgjedhjet u shpallën, vërehet se numri i grave brenda listave nuk kalon shumë përtej 30 përqindëshit, që është kriteri minimal.

Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2019, në listën zgjedhore i kishte 34 gra deputete, që i bie 31 për qind. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt 2021, Vetëvendosje ka shënuar një progres të vogël ku në listë zgjedhore ka kërkuar të certifikohen 41 gra deputete apo 37 për qind.

Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019, në listë zgjedhore kishte 76 burra, apo 69 për qind. Kurse në zgjedhjet që pritet të mbahen këtë vit ka listuar 69 burra apo 63 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019, në listën zgjedhore kishte vetëm 34 gra apo 31 për qind, ndërsa për zgjedhjet e këtij viti ka shënuar rënie në 33 gra apo 30 për qind.

LDK-ja në listën e vitit 2019 kishte 76 burra që bie 69 për qind, ndërsa kësaj radhe do të ketë 77 bura apo 70 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar me trendin e njëjtë të përfaqësimit gjinor.

PDK-ja edhe në zgjedhjet e vitit 2019 edhe në zgjedhjet që pritet të mbahen në shkurt të vitit 2021, ka vetëm 33 gra në listë zgjedhore që i bie 30 për qind, ndërsa në dy palë zgjedhjet kanë kandiduar 77 burra apo 70 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019, kishte garuar në koalicion me Partinë Social Demokrate dhe kishin listuar 34 gra apo 31 për qind.

Kurse edhe tani AAK-ja që nuk ka koalicion parazgjedhor me asnjë subjekt politik, mbetet shifra e njëjtë prej 34 grave.

AAK-PSD në zgjedhjet e 2019-tës dhe në këto zgjedhje që garon e vetme ka numrin e njëjtë të përfshirjes së burrave në listë 76 burra apo 69 për qind.

Edhe koalicioni NISMA-Aleanca Kosova e Re që kishin koalicion në zgjedhjet e 2019-tës i kishin të përfshira në listë 33 gra apo 30 për qind. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, NISMA do të kandidojë e vetme  dhe ka përfshirë 34 gra apo 31 për qind.

Më koalicionin e vitit 2019, NISMA-AKR ishte 77 burra apo 70 për qind, kurse në këto zgjedhje Nisma si subjekt i vetëm, i ka në listë 76 burra apo 69 për qind.

Këto të dhëna janë konfirmuar edhe nga Instituti D4D dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, vlerëson se partitë politike, janë larg ofrimit të mundësive të barabarta për gratë.

“Edhe këto zgjedhje, asnjë subjekt politik nuk garanton mundësi përfaqësimi të grave dhe burrave në parlament. Shumica e partive politike të cilat i kanë dorëzuar listat elektorale për zgjedhjet qendrore të parakohshme, kanë prezantuar minimalisht gra, duke e përmbushur kuotën elektorale gjinore prej 30% e cila sipas ligjit për zgjedhje, është obligative për secilin subjekt për t’u certifikuar”, thuhet nga QKSGj.

QKSGj e ka konsideruar shqetësuese këtë trend të ulët të përfaqësimit të grave në listat partiake.

“Mos-ofrimi i mundësive të barabarta për kandidim për gratë sikur për burrat është tregues që partitë politike ende nuk kanë vullnet politik për avancimin e barazisë gjinore”, thuhet tutje.

Ndërsa, pas vendimit të KQZ-së për mos certifikimin e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës, mund të ndryshojnë edhe përqindjet e grave në listat zgjedhore.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka marrë vendim që mos t’i certifikojë 5 kandidatë të LVV-së, në mesin e tyre dy gra.

Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për moscertifikim nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Sipas vendimit te kjo parti është certifikuar lista, por pa emrat e katër kandidatëve 3 burra dhe një grua.

Si dhe sipas vendimit të PZAP-së, subjektit NISMA nuk i certifikohen 12 kandidatë në mesin e tyre tri gra.

Subjektet do të presin vendim edhe nga Gjykata Supreme për mos certifikimin e kandidatëve të tyre pasi kanë drejtuar edhe ankesë.