Policia e Kosoves Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Aktakuzë ndaj të dyshuarit që me veturë goditi për vdekje këmbësorin në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D. D., i cili gjendet në paraburgim nga marsi 2026 nën dyshimet se ka goditur për vdekje një këmbësor.

Sipas aktakuzës, më 18 mars 2026, në rrugën “Wesley Clark”  në Prizren, i pandehuri D. D., duke drejtuar automjetin e tij dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kufizimet e parapara në atë segment rrugor, ku kufizimi ishte 40 km/h, ka lëvizur me shpejtësi prej 75 km/h para shtegut të këmbësorëve, afër rrethrrotullimit.

Aktakuza përshkruan se si pasojë, nga shpejtësia e lartë, ai nuk e ka vërejtur me kohë këmbësorin I. O., i cili po kalonte në shtegun e këmbësorëve, duke shkaktuar aksident trafiku me pasoja fatale për të ndjerin.

“Si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, viktima ka ndërruar jetë, ndërsa sipas raportit të autopsisë, vdekja ka ardhur si rezultat i lëndimeve të rënda të shkaktuara nga aksidenti në trafik”- thuhet në njoftimin e sistemit prokurorial më 03.06.2026.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.