Aktakuzë ndaj 21 personave për dëbimin e mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte kundër popullatës civile, gjatë periudhës, janar-qershor 1999. Sipas Prokurorisë Speciale, veprimet e ndërmarra nga të pandehurit, kanë rezultuar me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, tha se për ngritjen e kësaj aktakuze ka pasur hetime intesive për vite të tera. Aktakuza është ngritur në mungesë.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit që janë 21, duke ushtruar kontrolle efektiv mbi forcat e armatosura në territorin e Kosovës, pra bëhet fjalë për ushtrinë e atëhershme të Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë, kanë pas dijeni apo arsye te mjaftueshme për të ditur se pjesëtarët e atyre forcave kanë kryer veprime të ndaluara rreptësishtë, nga e drejta humanitare ndërkombëtare. Këto veprime përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronës, djegie te shtëpive, sulme te drejtpërdrejta ndaj popullatës civile dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim të popullsisë shqiptare” – tha Dema në një konferencë për media më 15.08.2025.
Sipas aktakuzës, këto veprime përbëjnë një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë.
“Prokuroria vlerëson se të pandehurit kanë dështuar të ndërmarrin hapa të nevojshëm për me parandaluar këto krime dhe kanë dështuar të i raportojnë ato tek autoritetet më të larta, ndonëse kishin kompetenca ligjore ta bëjnë një gjë të tillë” – tha prokurori i rastit Atdhe Dema.
Deri më tani, të pandehurit janë të paarritshëm për autoritetet kosovare.
“Ne kemi bërë kërkesë për urdhërarrest dhe fletërreshtim ndërkombëtar me kohë, i kemi ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme. Deri në ketë moment, ata janë të paarritshëm për ne” – deklaroi Dema.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se kjo aktakuzë përbën hap të rëndësishëm për vendosjen e përgjegjësisë për vuajtët që i janë shkaktuar popullatës në Kosovë.
“Është bërë punë e madhe, dhe e përkushtuar që të sigurohemi se aktakuza mbështetët ne prova, pavarësisht qe është ngritur në” – tha Blerim Isufaj.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13,000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Rreth 1,500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Në vitet e fundit, numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile” është rritur dukshëm. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.