Gjykimi ndaj dy hetuesve policorë për korrupsion, flet dëshmitari: Kam dhënë shumë para
Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të akuzuar nga Prokuroria për marrje të ryshfetit, janë ballafaquar me dëshmitarin Mentor Maqani.
Dëshmitari Maqani deklaroi se, u ka dhënë të holla Lavdim Osmanit dhe një personi të quajtur Faton Zabërgja.
“Kur jam taku me Lavdimin dhe Faton Zabërgjën, iu kam dhënë 1,500 euro dhe paratë tjera i kam dhënë përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, e të cilët janë në dijeni për këtë. Fillimisht ia kam dorëzu të hollat Driton Berishës, në bashkëpunim me D.H dëshmitarin bashkëpunues”, deklaroi dëshmitari Maqani.
“Nuk punoj më për lojëra të fatit, që nga koha kur kjo është ndalu me ligj. Kam ushtru këtë veprimtari për 12-13 vite. D.H. ka ndërruar numrat serikë për mos me iu zënë këtyre paratë, unë nuk e kam ditë që po ndërrohen paratë. Kam dhënë rreth 13,500 euro, s’jam shumë i sigurt sepse ka kalu kohë e gjatë, por aty diku kanë qenë, po ashtu dy apo tre herë nga 3,000 euro janë fotografuar nga Inspektorati”, shtoi ai.
Ai po ashtu ceku se në Karaçevë ka njerëz që merren me lojëra të fatit dhe kërkoi që të parashtrojë kërkesë pasurore juridike, në mënyrë që të kompensohet.
Pas dëshmisë së Maqanit, u bë leximi i provave materiale.
Ndërsa mbrojtësi i Lavdim Osmanit, Sokol Mushkolaj propozoi që të dëgjohet si dëshmitar Faton Zabërgja.
Seanca e radhës u caktua për datën, 17 shtator 2021.
Kujtojmë se Maqani ishte arrestuar më 15 dhjetor 2020, në lidhje me rastin e organizimit të lojërave të fatit në zonën e Karaçevës.
Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafeteri me D. H. dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.
Sipas aktakuzës të njëjtit sapo kishin dalë nga kafeteria, kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 eurove, në prezencë të D. H., me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.
Për këto veprime të pandehurit, akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.
Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që të mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në një restorant në rrugën Prishtinë – Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H., paratë në vlerë prej 3,000 eurove, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D. H. i merr paratë në vlerë prej 3,000 eurove.
Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.
Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 eurove D. H., pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 eurove ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.
Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.
Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafeteri, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarit bashkëpunues D. H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.
Në aktakuzë thuhet se, e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D. H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H. duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar:
“D. H. po dal vet, po kqyri se sot i Fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mos me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.
Për këtë ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Për këtë ai akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata mori aktvendim, ku aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Lutfi Menxhiqi për veprën penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit të aktakuzës, që ka të bëjë me veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK.
Ndërsa u refuzua kërkesa e mbrojtësve për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës, por kjo mbeti të shqyrtohet jashtë shqyrtimit, qoftë atij gjyqësor, të dytë apo pas mbajtjes së arrestit shtëpiak.