Akuzohen për përvetësimin e 76 mijë eurove të Postës së Kosovës, dy zyrtaret nuk e pranojnë fajësinë

Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi janë ulur sot sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat që u vihen në barrë.

Ato akuzohen për përvetësim të 76 mijë e 151 eurove gjatë viteve 2009-2012 në Postën e Kosovës.

Trupi gjykues në këtë rast është në përbërje të re pas vdekjes së gjyqtarit të rastit, Shasivar Hoti.

Gjyqtarët Agim Kuqi – kryetar, Medije Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni – anëtarë, përbëjnë trupin e ri gjykues.

Të akuzuarat Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi nuk e pranuan fajësinë për veprën në fjalë.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me leximin e aktakuzës dhe fjalën hyrëse të palëve duke filluar nga prokurorja e rastit, Shenaj Berisha.

Prokurorja Berisha propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve në këtë rast gjyqësor të dëgjohen Blerim Krasniqi, Sabit Vokshi, Naim Gashi, Nazmije Bytyqi, Besa Peci, Myrvete Mehmeti, Astrit Shala dhe Venera Humolli.

Prokuroria gjithashtu njoftoi se palë e dëmtuar në këtë rast është Posta e Kosovës meqë më 7 shkurt të vitit 2020 Gjykata kishte kërkuar nga Prokuroria të përcaktohej se kush është palë e dëmtuar.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Posta e Kosovës Sh.a., Ekrem Ademi, deklaroi se është hera e parë që merr pjesë në këtë proces gjyqësor dhe se e mbështet në tërësi aktakuzën e Prokurorisë dhe se i bashkëngjitet edhe kërkesës pasurore-juridike.

Avokati mbrojtës i të akuzuares Fatime Hoti-Abazi, Ramë Dreshaj dhe mbrojtësja e të akuzuares Fllanza Shabi, Hedije Ademi, deklaruan se mbeten në tërësi pranë fjalëve hyrëse të dhëna në vitin 2019.

Avokati Ramë Dreshaj tutje kërkoi që lidhur më këtë rast të bëhet ekzaminimi grafologjik dhe të bëhet krahasimi i nënshkrimit të të akuzuarave me nënshkrimet e ditarëve të punës që Prokuroria pretendon që janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

I njëjti theksoi se ditarët e njëjtë janë pa vula dhe nënshkrime. Tutje, avokati Dreshaj kërkoi edhe angazhimin e një eksperti financiar në mënyrë që të arrihet te gjendja e plotë faktike.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me marrjen në pyetje të përfaqësuesit të Postës së Kosovës, Ekrem Ademi. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe avokatit Ramë Dreshaj deklaroi se hartuesi i raportit të auditimit, Blerim Krasniqi, do ta elaborojë tërësisht këtë raport lidhur me rastin.

I njëjti deklaroi që mbështet në tërësi raportet zyrtare të punëdhënësit të tij, Posta e Kosovës.

Gjyqtari i çështjes, Agim Kuqi e pyeti përfaqësuesin Ademi se si ka mundësi që e akuzuara Fllanza Shabi si person i cili dyshohet për përvetësimin e 76 mijë eurove të vazhdojë të jetë zyrtare e prokurimit në Postën e Kosovës.

‘’Prej 2013 është dhe vazhdon të jetë zyrtare e prokurimit në Postën e Kosovës. Si ka mundësi që një person i cili dyshohet për përvetësimin e 76 mijë eurove me punu si zyrtare e prokurimit në Postën e Kosovës?’’ – pyeti gjyqtari Kuçi.

“Këtë e vlerëson punëdhënësi e jo unë” – u përgjigj Ademi.

Prokuroria e akuzon Fllanza Shabin se në cilësinë e zyrtares së shitjes në zyrën postare numër 10 në Prishtinë, së bashku me të akuzuaren Fatime Hoti- Abazi si zyrtare e teleshitjes, i kishin tejkaluar kompetencat e tyre duke përfituar shumën prej 76 mijë e 151 euro brenda periudhës 2009-2012.

Aktakuza thotë se kjo shumë e parave u ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e Western Union-it në Postën e Kosovës përderisa mungesën e tyre e kishte zbuluar auditori i brendshëm i Postës dhe Komisioni për verifikimin e kërkesave të hapura në zyrë postare për shërbimet e Western Union-it.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë rast do të mbahet më 10 janar.