Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos ndaj ish-koordinatorit të Panelit për lirim me kusht, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve

Ish-Koordinator i Panelit për lirim me kusht, Bedri Duraku, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve, është liruar nga akuza.

Aktgjykimin për lirim nga akuza, Gjykata e Prishtinës e shpalli me arsyen e mungesës së të provuarit që i akuzuari ka kryer veprën penale.

Prezent në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte vetë i akuzuari me mbrojtësin e tij, kurse nga prokuroria e krimeve të rënda nuk prezantoi askush.

Kundër këtij aktgjykimi brenda afatit ligjor, palët kanë të drejtë ankese në gjykatën e shkallës së dytë.

Sipas dosjes së prokurorisë, kjo shkresë ishte e nënshkruar nga i akuzuari dhe dy shkresat në fjalë kishin pasur numrin e njëjtë të protokollit 01/605 të datës 16.09.2015.

Dokumenti i modifikuar sipas prokurorisë ishte dërguar në mbledhjen e KGJK-së, dhe në bazë të tij është ndërprerë mandati të dëmtuarës Emine Kaçiku – si kryesuese e Panelit të Lirimit me Kusht, më 21 korrik të vitit 2016.

E dëmtuara nuk u paraqit në seancën e së mërkurës, e njëjta nuk kishte shprehur dëshirë të vinte më dhe nuk do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike, njoftoi gjyqtari Agim Kuçi.

Në fjalët përfundimtare, prokurori Borovci kishte thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, e ndaj tij përveç dënimit kryesor kërkoi t’i shqiptohej edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike – si dënim plotësues.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Rudari kishte kërkuar nga gjykata të shpallë aktgjykim lirues për klientin e tij ngase nuk ka mundur të vërtetohet sipas tij se është kryer vepra penale.

Trupi gjykues në këtë çështje përbëhet nga Agim Kuçi – kryetar, Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.