Gjykimi i ish-oficerit korrektues për ryshfet, avokati thotë se prokurorja nuk e ka dorëzuar një video-incizim

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Bajram Rexhaj, i cili akuzohet se si oficer korrektues ka pranuar 50 euro ryshfet në këmbim të futjes së numrit të telefonit në Qendrën e Paraburgimit, një kartele telefonike dhe një parfumi.

Mbrojtja ka pretenduar se Prokuroria nuk i ka dorëzuar të gjitha provat, përfshirë video-incizimin e bërë në mjetin e të akuzuarit gjatë simulimit të veprës penale.

Avokati i Rexhajt, Besnik Berisha, ka theksuar se prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, ka një video-incizim në telefonin e saj, por që nuk është përfshirë në dosjen e lëndës.

Berisha ka konsideruar se kjo ka ndikuar në përgatitjen e mbrojtjes së tyre, duke theksuar se nuk mund të parashtrojnë pyetje në lidhje me këtë çështje pasi ende nuk është ofruar si dëshmi.

“Nga prokurorja kuptova se ka prova që ende nuk janë dorëzuar, më saktësisht video-incizimet që Prokuroria pretendon se përmbajnë fotografitë e sendeve që personat (hetuesit) i kanë bërë, e që janë personat e njëjtë që i kanë sjellë në Prizren. Meqenëse Prokuroria ka prova që ende ne por as Gjykata nuk i ka, kjo normalisht na ka dëmtuar në përgatitjen e mbrojtjes. Dhe ne, nuk mund të parashtrojmë pyetje pasi që kemi ende prova në sirtarë që nuk janë dhënë”- deklaroi Berisha.

Avokati Berisha më tej ka shfaqur dyshime se nga vjen ky video-incizim, nëse është bërë me pajisje të Policisë ose telefon privat, dhe nëse është regjistruar para ose pas arrestimit të të akuzuarit.

Ai ka kërkuar që Gjykata të sigurojë barazi në këtë proces dhe të mundësojë qasje të plotë në provat, duke përfshirë edhe pajisjet që janë përdorur për sigurimin e tyre.

“Ne jemi në një pozitë të pabarabartë për shkak se komunikimet private involvohen si prova zyrtare për çka nuk i dihet as koha, as telefoni. Kërkoj që së paku gjykata të sigurojë barazi në këtë proces, të mundësohet qasje e plotë në prova, përfshirë pajisjet me të cilat pretendojmë se janë përdorur për sigurimin e provave” – tha Berisha.

Lidhur me këtë, prokurorja Ervehe Gashi ka deklaruar se video-incizimi nuk ka ardhur zyrtarisht në Prokurori dhe se nuk e ka fshehur provën.

“Ky video-incizim zyrtarisht nuk ka ardhur në Prokurori, për këtë arsye unë nuk e kam fshehur provën e cila nuk ka ardhur zyrtarisht. Pse është përvjedhur ky gabim ky problem i zyrtarëve policorë”-shtoi prokurorja Gashi.

Prokurorja ka theksuar se do të kërkojë kopje të mjaftueshme të video-incizimit dhe do të analizojë nëse mund të propozohet si provë dhe t’u dorëzohet palëve.

Gashi gjithashtu ka bërë të ditur se do të bëjë një kërkesë në njësinë hetuese për të konstatuar nëse video-incizimi është evidentuar si provë dhe nëse është siguruar sipas rregullave procedurale.

Gjatë seancës së gjyqit, hetuesi policor, Avdyl Sekiraqa, dha dëshmi në lidhje me zbulimin e provave materiale në mjetin e të akuzuarit Bajram Rexhaj gjatë simulimit të veprës penale.

Sekiraqa tregoi se hetuesit gjetën paratë, parfumin dhe kartelat e telefonit në mjetin e të akuzuarit, dhe se këto sende u fotografuan dhe u regjistruan në video-incizim.

Sipas dëshmitarit Sekiraqa, video-incizimi dëshmon që provat materiale janë marrë nga vetura e Bajram Rexhajt dhe për këtë arsye është mbushur një formular për sekuestrim. Sekiraqa gjithashtu bëri të ditur se këto prova janë gjetur në mjetin e të akuzuarit dhe jo në trupin e tij.

Pasi që mbrojtja nuk e kishte në dizpozicion këtë provë seanca u ndërpre.

Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar për më 31 janar 2024.

Çështja po drejtohet nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani me anëtaret – gjykatëset Ajser Skenderi dhe Arjeta Gashi.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajram Rexhaj akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personit zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Akuza thotë se i pandehuri në ditën kritike në një pompë të derivateve në hyrje të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Prokuroria pretendon se sendet e ndaluara kanë qenë për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Rexhaj u deklarua i pafajshëm për akuzën në fjalë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.