Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, dëshmitari: Anëtarët e komisionit gabuan në përzgjedhjen e fituesit të ankandit

Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

Tre ish drejtorët, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se kanë dhënë në shfrytëzim dhe këmbim pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Në vijim të këtij gjykimi u dëgjua dëshmitari Rahim Alija i cili theksoi se pronat e Komunës të cilat jepen në shfrytëzim bazohen në kriterin e çmimit më të lartë.

“Për pronat e paluajtshme të Komunës që jepen në kohë afatshkurtër, në bazë të rregullores kanë dy kritere: përmes ankandit publik bëhet zgjedhja e fituesit i cili ka ofruar çmimin më të lartë dhe e dyta Komuna duhet të përcaktojë përmes komisionit çmimin fillestar”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tutje deklaroi se pasi fituese e ankandit publik u zgjodh Fatmire Berisha, e cila kishte ofertuar me çmimin më të ulët se i dëmtuari Albert Doçi, ai i kishte tërhequr vërejtjen anëtarëve të tjerë duke thënë se çmimi më i lartë duhet të ishte prioritet.

“Unë në atë kohë kryesuesit të Kuvendit, Levent Kasemit, dhe anëtarëve të tjerë u kam thënë se jeni gabim, sepse fituesi i ankandit publik duhet të jetë personi që e ka ofruar çmimin më të lartë së bashku me kriteret e tjera që janë caktuar”, sqaroi dëshmitari.

Më pas, gjykimi vazhdoi më dëgjimin e dëshmitarit Adem Shabani, i cili si anëtar i komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronave të Komunës kishte marrë pjesë në tri seanca konstituive.

Shabani lidhur me rastin konkret deklaroi se komisioni kishte bërë përzgjedhjen fituesit në bazë të  poentimit-mbledhjes së pikëve.

“Poentimi për kriterin më të lartë, me sa më kujtohet nuk ka qenë poentimi më i madh, mirëpo duke mos i përmbushur kriteret e tjera ka bërë që kjo të bie poshtë. Kjo nënkupton nëse kriteret e tjera nuk janë plotësuar çmimi më i lartë bie poshtë”, tha dëshmitari Shabani.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të vazhdojë nesër.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë i akuzuari – drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar – drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doçi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi, kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doçi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë, përkundër këtij fakti, komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.