Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Çaslav Joliqit për krime lufte, dëshmitarët rrëfejnë për rrahjen çnjerëzore të bashkëvendasit të tyre nga i akuzuari

Çaslav Joliq është ulur sot sërish në bankën e të akuzuarit për të dëgjuar dëshminë e dëshmitarëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ndaj tij ka ngritur aktakuzë për krime lufte.

Prokuroria po pretendon se Joliq ka qenë pjesëtar i Policisë serbe dhe se në këtë cilësi në vitet 1998 dhe 1999 ka kryer krime ndaj civilëve shqiptarë në zonën e Gurakocit.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Prishtinës është dëgjuar dëshmia e Lush Palokajt dhe e Gjon Palokajt, dëshmitarë të Prokurorisë.

Gjatë dëshmisë së tij, Lush Palokaj ka treguar se në Gurakoc në vitet 1998 dhe 1999 ishin mobilizuar fqinjtë e tij të nacionalitetit serb Joliqët, Pejoçinoviqët dhe Petroviqët.

Ai ka treguar për rastin e bashkëvendasit të tij, Zef Malësisë, i cili në vitin 1998 ishte sulmuar dhe keqtrajtuar nga një grup i forcave serbe, ku bënte pjesë edhe i akuzuari.

“Sipas asaj që e kam pa unë, Zefi ka qenë i dëmtuar edhe në kry. Kurse në anën e majtë të buzës e ka pasë një të çarë”- vazhdoi tutje dëshmitari.

Dëshmitari tutje tregoi momentin kur kishte rënë nga qielli një fluturake,  e cila sipas tij i përkiste shtetit rus dhe se më pas Zef Malësinë e kishin marrë gazetarët ndërkombëtarë dhe kishin shkuar te vendi i ngjarjes.

Lush Palokaj gjatë dhënies së dëshmisë së tij është përgjigjur edhe për numrin e personave që kishin ushtruar dhunë ndaj Zef Malësisë pranë vendit ku kishte rënë fluturakja. Në fillim Palokaj tha që Zef Malësia i kishte treguar se e kishin rrahur pesë persona dhe për këtë ishte i sigurt por pas ballafaqimit të tij me deklarimet e dhëna në Polici, ai tha se numri i personave që kishin rrahur Zef Malësinë ishte katër.

Dëshmi ka dhënë edhe Gjon Palokaj, i cili po ashtu ka treguar për atë që i kishte ndodhur Zef Malësisë në ditën kritike dhe se çfarë kishte dëgjuar më pas për të.

“Një sekuencë, një rast e kam pa, jam dëshmitar okular, u kanë pranvera e 1998, muaji maj, deri sa dojsha me shku te një kushëri…, mbas nja 200 metra a 300, e pashë Zef Malësinë, i cili po vinte drejt meje në anën e kundërt të rrugës. Sapo u afrova diku 15-20 metra sa deshta me u përshëndet me të, para këmbëve të tij u ndal një automjet, i cili po vinte prej Klinës në drejtim të Gurakocit. Automjeti ishte “Golf 2” i bardhë dhe në anën e pasagjerit e kishte një shenjë me “Press”. Në mbrëmje ka ardhë kushërini Gjon dhe po me thotë a ke ni që e kanë rreh Zefin Policia. Tha u kanë me qata gazetarët, e kishin pasë rreh”- tha dëshmitari.

“Fytyrën e ka pasë të ënjtur, të dielën të nxirë e të hënën të ënjtur”- shtoi tutje dëshmitari.

Përndryshe në seancën e 30 qershorit të këtij viti, dëshminë lidhur me ndodhin e kishte dhënë vetë i dëmtuari Zef Malësia.

Seancat e radhës do të mbahen më 1 dhe 2 nëntor.

Ky rast po gjykohet nga gjyqtarët Musa Konxheli- kryetar i trupit gjykues, dhe Valbona Musliu-Selimaj dhe Mentor Bajraktari- anëtarë, kurse prokuror është Ilir Morina.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar.

Në dosje theksohet se të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes.

Pas këtyre akuzave të lartcekurit sipas Prokurorisë e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc.

Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

(Shënim: Tekstit i është bashkangjitur pjesa nga përmbajtja e aktakuzës – Koha e editimit: 13:45 – 22.02.2024)