Gjykimi për krime lufte

Rrëfimi i dëshmitarit: Më rrahën për 10 minuta e më thanë që herën tjetër do të mbysim  

I akuzuari për krime lufte në Kosovë në vitin 1998-1999, Çaslav Joliq ka dalë sot para Gjykatës së Prishtinës.

Ai akuzohet për trajtim ç’njerëzor dhe tortura në cilësinë e pjesëtarit të policisë ndaj tri viktimave shqiptare dhe atë në prezencë të dy gazetarëve ndërkombëtarë dhe një përkthyese shqiptare.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Musa Konxheli dhe anëtarët, Valbona Selimi dhe Mentor Bajraktari, konstatuan prezencën në seancën e sotme të njërit prej tri viktimave, të cilët janë shqiptarë, ku njëri nga të dëmtuarit Zef Malësia e vazhdoj dëshminë në shqyrtimin gjyqësor të sotëm, ndërsa dëshmitari i radhës i prokurorisë Nexhmedin Curraj filloj sot dëshminë e tij para gjykatës.

Dëshmitari Zef Malësia deklaroi se ndalesën për të dalë në qytet e kishte marrë për shkak të veprimtarisë së tij politike, që prej kohës kur kishte qenë pjesëmarrës i organizimeve të demonstratave në Komunën e Istogut.

Dëshmitari sqaroi poashtu se në post-bllokun ku ishin të vendosur në Gurakoc, policët serbë e kishin rrahur edhe djalin e tij, i cili ishte në klasë të 6-të e që shkonte të blinte gazetën për të.

Dëshmitari tregon se e kishin kërcënuar për të mos dal në qytet sepse do ta vrasin.

“Svetkoviqi më ka thanë nëse del në post-bllok të vrajmë’’ – rrëfeu dëshmitari në gjykatore.

Dëshmitari u pyet nga trupi gjykues sesi kishte rënë në kontakt me gazetarët e huaj.

‘’Ata kanë pyet në Prishtinë dhe dikush nga dega e partisë atje iu ka tregu që unë qëndroj në Istog dhe mund të më kërkojnë ndihmë’’ – tha ai.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor vazhdoj me dëshminë e dëshmitarit Nexhmedin Curraj.

Dëshmitari Curraj tha se kishte punuar taksist qysh nga viti 1990.

“Unë me 15 mars 11998, jam kanë tu shku me makinë në Vrellë edhe më kanë ndalu në post-bllok në Gurakovc në qendër, tu shku me marrë shoqen edhe fëmijët, në atë moment më kanë nale Llaza edhe Joliqi në post-bllok’’.

Llaza dhe Joliq, të cilët dyshohen se kishin rrahur dëshmitarin, sipas tiji shin të veshur me uniformë ndërsa Rade Pituliq ka qenë me rroba civile.

Dëshmitari tregoi në gjykatore se ai ishte rrahur për rreth 10 minuta.

“Më kanë ra shkelma edhe kondak të automatit, e kam pjesën e epërme të dhëmbëve të thyer prej tyre‘’.

“Joliqi më ka ra me shkelma edhe me kondak të automatit, edhe Llaza qashtu, Pituliqi më ka ra shpinës edhe shkelma”.

I njëjti sqaroi që pasi e kishin rrahur, e kishin tërhequr zvarrë për toke deri në kafenenë afër post-bllokut, ku pastaj personalisht Rade Pituliq e kishte paralajmëruar që nëse do e zënë herën tjetër, do ta vrasin.

“Rade Pituliq më tha: Kurrgjë s’ta kemi ba qetash, tjetër herë të mysim krejt”.

Tutje, i njëjti tha se pasi që e kishin rrahur, ai e kishte vazhduar rrugën për në makinë në gjendje të rëndë, e rrugës e kishte parë sërish të pandehurin Joliq dhe tre persona të tjerë serbë, duke rrahur personin tjetër Naim Ferati deri në stacionin policor.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje pritet të mbahet me 18 dhe 19 shtator.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniformë të policisë serbe, Rdaule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë çështje, mund t’i gjeni në këtë LINK.