Gjykata vendos ndaj të dyshuarit për kërcënim të kryeministrit Kurti

Gjykata e Prishtinës ka vendosur t’ia caktojë një muaj paraburgim, Nuredin Selmanit, të dyshuarit për kërcënim me vrasje ndaj kryeministrit Albin Kurti edhe përmes rrjeteve sociale edhe në transmetim të drejtpërdrejtë të një emisioni televiziv.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi. Masa e paraburgimit i është caktuar nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale “dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i dyshuari Nuredin Selmani kishte bërë kanosje me vrasje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook me përmbajtje inkriminuese, si dhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’, të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e kishte përsëritur edhe gojarisht.

I dyshuari ka nxitur reagim me deklaratën e dhënë në emision.

“Unë konsideroj që çdo njeri që bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse ajo është tradhti ndaj atdheut’’ – kishte deklaruar Selmani në transmetim të drejtpërdrejtë.

Në lidhje me këtë deklaratë, Selmani është arrestuar nga Policia e Kosovës më 31 gusht, një ditë pas transmetimit të emisionit.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.