19 të dyshuarit në operacionin policor, kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm
Gjykata vazhdon ndalimin 48 orësh ndaj 19 të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm në Mitrovicë
Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka vazhduar masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, 19 të pandehurve që u arrestuan në operacionin e datës 18.04.2026, kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Hateme Haxhaj e cila tha se vendimi do të merret brenda këtij afati.
Seancat gjyqësore për këtë rast janë mbajtur në Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj, të hënën, më 20.04.2026.
Gjykata ka caktuar një muaj paraburgim për dy të dyshuar për skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm në Skenderaj.
E njejta masë është caktuar edhe ndaj gjashtë të pandehurve në Vushtrri.
Prokuroria e Mitrovicës kanë bërë të ditur për KALLXO.com se për 27 persona kanë paraqitur kërkesë për caktimin e masës.
Të shtunën, Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë realizuar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur këto rezultate: Janë shoqëruar 34 persona të dyshuar, janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private, janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë: rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë (5) automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
Me vendim të prokurorit kompetent: 29 të dyshuar ishin dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë ishin liruar në procedurë të rregullt.
Më 18.04.2026 Prokuroria e Mitrovicës ka zhvilluar një aksion kundër bixhozit në disa qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj e Istog.
Aksioni u drejtua nga prokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Muharrem Prekazi.
Prekazi kishte thënë për KALLXO.com se janë bastisur disa lokacione në disa qytete, kundër veprave penale – organizimi i lojërave piramidale dhe bixhozit te kundërligjshëm.
Në lidhje me rastin, Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e një zyrtari policor nga Mitrovica.
Ai po dyshohet se është i përfshirë në vepër penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.
KALLXO.com merr vesh se zyrtari policor me inicialet Sh.S. ka rënë në masa të fshehta të Prokurorisë.