Gjykata nuk e di se të akuzuarit gjinden në paraburgim, dështon seanca për vjedhje të rëndë dhe grabitje

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca ku për vjedhje grabitqare dhe vjedhje të rëndë po akuzohen Rrahman Arifoviq, Arbër Shaqiri dhe Labinot Vrajolli.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarve, ndonëse sipas Gjykatës të njëjtit ishin të njoftuar për seancën e sotme.

“Gjykata nga avokatët e të akuzuarve, është njoftuar se të akuzuarit gjinden në paraburgim për vepra të tjera penale. Andaj nuk kemi kushte për mbajtjen e seancës së sotme”, tha gjykatësi Naser Maliqi.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Rrahman Arifoviq, Arbër Shaqiri dhe Labinot Vrajolli në maj të vitit 2020, në rrugën “Adem Jashari”, në Viti, në bashkëveprim kanë kryer vjedhje grabitqare.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në një lokal, pronë e të dëmtuarit Fadil Rashiti, fillimisht thyejnë drynin e derës së kioskës, hyjnë dhe marrin të gjitha cigaret e llojeve të ndryshme dhe duke hyrë në veturë hasen nga patrulla e Policisë dhe ushtrojnë kanosje ndaj tyre duke shtënë me revole, në këtë mënyrë arrijnë t’u shmangen forcave të rendit por për shkak të defektit në veturë, e lënë të njëjtën dhe cigaret për të marr-vjedhur një veturë tjetër në fshatin Drobesh.

Ndërsa në qershor të vitit 2020, në rrugën “Bedri Pejani”, në Gjilan me qëllim të përfitimit, kanë hyrë në oborrin e shtëpisë të dëmtuarit Lazim Sejdiu, me forcë kanë hapur derën e garazhës dhe kanë marr veturën “Audi A7”, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shumën prej 25 mijë eurove.

Seanca e sotme u shty për 02 nëntor.