Avokati Hamdi Jashari, Foto: KALLXO.com

Gjykata merr vendim për avokatin që dyshohet se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarit

Gjykata e Prishtinës ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga një palë në Gjykatën e Gjilanit për t’ia dhënë kolegjit të gjyqtarëve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit H.J i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj” – thuhet në përgjigjen e Gashit.

Kjo është hera e dytë që të njëjtit po i vazhdohet masa e paraburgimit me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

Fillimisht të njëjtit i ishin caktuar 30 ditë paraburgim. Kjo masë i ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë më 7 korrik 2023 nga Gjykata e Prishtinës.

Avokati Hamdi Jashari ishte arrestuar më 8 qershor 2023, nën dyshimin për ushtrim ndikimi.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i dyshuari.