Gjykata merr vendim për Alil Demirin, i dënuar në rastin ‘Monstra’ në Maqedoni të Veriut

Alil Demiri, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, është kapur para dy ditëve nga Policia e Kosovës.

Ndaj Demirit kishte urdhërarrest ndërkombëtar dhe Policia njoftoi të entjen se ai është arrestuar të mërkurën rreth orës 22:30.

Mirëpo ai një ditë më vonë, të premtën ai është liruar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i tij, Besnik Berisha.

“Pas provave të dorëzuara nga mbrojtja dhe argumenteve sqaruese të dhëna në seancën dëgjimore ku u trajtua kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori që përfaqësoi propozimin u tërhoq nga kërkesa. Alil Demiri tashmë është i lirë” – tha Berisha për KALLXO.com.

Tutje avokati Berisha tha se Demiri ishte arrestuar dhe ndaluar në mënyrë të kundërligjshme.

Ai tha se Demiri është ndaluar bazuar në një urdhër Interpoli për çështje, që sipas tij tashmë është trajtuar nga gjykata në Kosovë.

“Kërkesa e autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij tashmë është vendosur dhe refuzuar nga gjykata kosovare në të dy instancat” – tha Berisha.

“Kërkesa e re eventuale që mund të parashtrohet nga autoritetet e RMV-së përbën çështje të gjykuar dhe të trajtuar disa herë. Për këtë arsye arrestimi dhe ndalimi i tij ishte gabim dhe përbën veprim të kundërligjshëm” – shtoi avokati.

Për personin në fjalë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se është i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore Shkup 1, për kryerjen e veprës penale – terrorizëm, lidhur me vrasjen e rëndë të pesëfishtë në liqenin Smillkovës.

Në njoftimin e MPB-së është thënë se sipas informacioneve të marra nga Policia e Kosovës, ai do të paraqitet para gjykatësit kompetent.

Në vitin 2021, Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe Afrim Ismailoviqit, një tjetër person i përfshirë në rastin “Monstra”.

Asokohe, autoritetet maqedonase kishin kërkuar ekstradimin e Ismailoviqit në Maqedoni të Veriut, e madje kishin thënë se në Kosovë ndodhet edhe Alil Demiri.

Këta dy persona së bashku me tre të tjerë ishin shpallur fajtorë për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.

Agim Ismailoviq, vëllai i Afrim Ismailoviqit, është dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa dy të tjerë, Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim.

Tre prej tyre u dënuan për veprën – terrorizëm dhe destabilizim, ndërsa dy të tjerët për ndihmë në kryerjen e veprës. Një person tjetër është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime në sallën e gjykimit, si nga pala mbrojtëse ashtu dhe nga të dënuarit, ndërsa janë mbajtur edhe protesta rrugëve të Shkupit, të cilat përfunduan edhe me dhunë.

Familjarët e të dënuarve, pala mbrojtëse, por edhe partitë politike të opozitës pretendonin se bëhet fjalë për rast të kurdisur dhe se të dënuarit nuk janë autorët e vërtetë të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, por, sipas tyre, struktura tjera, që kishin për qëllim që përmes këtij akti të destabilizonin Maqedoninë e Veriut.

Arrestohet nga Policia e Kosovës Alil Demiri, i dyshuar për rastin “Monstra” në Maqedoni të Veriut