Mjeku Nuk Pranon se Mori Ryshfet (TV)

Sipas prokurorit Isuf Sadiku, mjeku dyshohet se më 28 tetor 2013, në cilësinë e personit zyrtar – kirurg në Spitalin Rajonal të Gjilanit ka pranuar dhuratën me qëllim të përfitimit për vete.

“Nga i dëmtuari Muhamet Osmani me qëllim të kryerjes së shërbimit – operacionit të nënës së tij, pranon 500 euro në zyrën e tij“, tha prokurori Sadiku .

Të dyshuarit, sipas aktakuzës, paratë i janë gjetur në zyrën e tij. Ato i ka konfiskuar policia, duke arrestuar kirurgun.

I akuzuari Mustafa tha në seancë se ndihet i pafajshëm. “Këto ditë në paraburgim kanë qenë për mua si shekuj“, shtoi ai.

Prokurori propozoi që nëse vërtetohet fajësia e marrjes së ryshfetit, Mustafës t’i konfiskohet një pjesë e pasurisë.

Neni 264 i Kodit Penal të Kosovës parashikon tërheqjen nga llogaria të “të ardhurave nga vepra penale nën hetim”, edhe për veprën marrje e ryshfetit.

Avokati Isa Mustafa, mbrojtësi i kirurgut me punë në Gjilan, kundërshtoi aktakuzën. “E kundërshtojmë në tërësi aktakuzën si të pabazuar në prova dhe fakte”, tha avokati.

Kirurgu Luan Mustafa, u mbajt në paraburgim 28 tetori deri më 22 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe ai ishte suspenduar nga puna.

“Pas konfirmimit për këtë rast është mbledhur Komisioni Disiplinor dhe ka marrë masën e pezullimit nga puna për një muaj, sa ka zgjatë edhe masa e paraburgimit”, tha dr. Selami Kurteshi, zëdhënës i Spitalit Rajonal të Gjilanit .

Kurteshi shtoi se pas lirimit nga paraburgimi, i njëjti komision ka kthyer në punë mjekun e akuzuar.

“ Pa një vendim të gjykatës, pushon arsyeja jonë për të marrë ndonjë masë tjetër”, thotë Kurteshi.

Avokati i të pandehurit Mustafa, u ankua se nuk ka marrë të gjitha provat në të cilat bazohet aktakuza.

“Kemi të bëjmë me vepër penale simulim i marrjes së ryshfetit, e ne as kallëzimin penal nuk e kemi”, tha mbrojtësi Isa Mustafa.

Gjyqtari i çështjes Hasan Sadiku me vendim e obligoi prokurorin që brenda dhjetë ditëve të gjitha shkresat në të cilat mbështet aktakuza t’i sigurohen avokatit.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Selami Kurteshi e lavdëron kolegun e tij që po përballet me gjykatën.

“Doktori Mustafa ka qenë korrekt me pacientë, ka pasë lëvdata nga pacientët për të dhe për ne është i pafajshëm, derisa sa të mos vërtetohet fajësia”, thotë ai.

Luan Mustafa i tha Gazetës Jeta në Kosovë se pafajësia e tij do ta tregohet.

“Jam 100 për qind i pafajshëm dhe këtë do ta dëshmojë drejtësia“, tha dr.Mustafa.

Seanca e radhës mbahet me 18 prill të këtij viti.