Ratko Mlladiq në gjykatën e Hagës. Foto: Beta.

Gjendja shëndetësore e Ratko Mlladiq, shoqatat boshnjake kërkojnë që mos të lirohet

Shoqatat e viktimave dhe dëshmitarëve të gjenocidit dhe Lëvizja e Shoqatës “Nënat e enklavave të Srebrenicës dhe Zepës” i kanë dërguar letër presidentes së Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale, Graciela Gata Santana, në lidhje me lirimin e të dënuarit për krime lufte Ratko Mlladiq.

Shoqatat boshnjake janë shprehur të shqetësuar pas lajmeve se Ratko Mlladiq do të lirohet për “shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore”, raporton mediumi Avaz.ba

“E gjithë bota është e vetëdijshme dhe e di se krimineli Ratko Mlladiq nuk do të kthehej kurrë para drejtësisë ndërkombëtare nga Rusia apo Serbia nëse do të lirohej. Kujtojmë se krimineli Mlladiq u soll në njësinë e paraburgimit nga Serbia në një gjendje katastrofike shëndetësore dhe se ekipet e ekspertëve mjekësorë ndërkombëtarë praktikisht e sollën Mlladiqin në jetë”

“Jemi të bindur se ekipet mjekësore ndërkombëtare janë të afta dhe profesionale për të përballuar çdo sfidë shëndetësore. Prandaj, ne besojmë se krimineli Ratko Mlladiq duhet të dërgohet menjëherë në vuajtje të dënimit të përjetshëm dhe të pengohet çdo përpjekje për lirimin e tij” – thuhet në letër.

“Ne ju dërgojmë mbështetjen dhe shprehjet e respektit dhe jemi të bindur se do të bëni gjithçka për të zbatuar ligjin dhe drejtësinë dhe për të parandaluar çdo tentativë manipulimi që është kundër interesave të së vërtetës dhe viktimave” – shkruhet në letrën e nënshkruar nga Munira Subashiq dhe Murat Tahiroviq.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqit.

Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996, u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Konkretisht, gjykata vendosi se Mlladiq i kreu këto krime përmes “rolit të tij kryesor” në katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale:

(i) Tejkalimi i Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale – me qëllim për të larguar përgjithmonë myslimanët boshnjakë dhe kroatët e Bosnjës nga territori i Bosnjë dhe Hercegovinës midis majit 1992 dhe nëntorit 1995;

(ii) Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale në Sarajevë – që synoi përhapjen e terrorit në mesin e popullatës civile të Sarajevës përmes një fushate me snajperë dhe granatimit midis majit 1992 dhe nëntorit 1995;

(iii) Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale në Srebrenicë – që synoi të eliminojë myslimanët boshnjakë në Srebrenicë midis korrikut dhe të paktën tetorit 1995; dhe

(iv) “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale – Marrja e pengjeve” – që synoi kapjen e personelit të Forcës së Mbrojtjes së Kombeve të Bashkuara dhe vëzhguesit ushtarak të Kombeve të Bashkuara të vendosur në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ndalimin e tyre në vende strategjike ushtarake për të parandaluar Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut që të fillojë sulme të mëtejshme ajrore kundër shënjestrave ushtarake serbe të Bosnjës nga maji deri në qershor 1995.

Gjykata e shpalli të pafajshëm Mlladiqin për gjenocid sipas pikës 1 të Aktakuzës në lidhje me krimet e kryera kundër myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve të Bosnjës në komuna të caktuara në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës.

Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj të vitit 2012.

Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.
Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.