Murali i Ratko Mlladiq në Komunën e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Krimineli i luftës Ratko Mlladiq ‘lartësohet’ në Zveçan, mekanizmat shtetërorë të Kosovës heshtin

Ditë më parë u mbajt një protestë e madje u arrestuan edhe dy aktiviste qytetare të cilat kundërshtonin vendosjen e një murali në qendër të Beogradit me figurën e kriminelit të luftës në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Një mural i ngjashëm është i vendosur e mirëmbajtur në qendër të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Deri më sot, atë mural askush nuk e ka larguar ani pse Mlladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte në Srebrenicë ndërsa institucionet në Kosovë kishin reaguar kur Mlladiq ishte dënuar për krimet që kishte kryer.

Mlladiq lartësohet në Zveçan pasi që murali me figurën e tij është vendosur përballë objektit të Komunës e madje zona është e frekuentuar vazhdimisht nga banorët.

Kryeministri Albin Kurti javën e kaluar pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë çështje tha se nuk është në dijeni se gjenden murale të tilla në ndonjë vend të Kosovës.

“Ratko Mlladiq është kriminel lufte i cili është përgjegjësi kryesor për gjenocidin në Srebrenicë dhe unë besoj që jo vetëm në Kosovë por në asnjë vend të botës nuk do të duhej të afirmohej apo glorifikohej (lartësohet) dhe padyshim që në përputhje me këtë, do të duhej të veprojnë mekanizmat shtetëror dhe organet e rendit”, kishte thënë Kurti javën e kaluar.

“Unë nuk mund ta di tash se në cilat qytete ndodhen por kushdo që e di duhet t’i tregojë Policisë së Kosovës”, vazhdoi Kurti tutje.

Në anën tjetër, Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kishte reaguar në rrjetin social Twitter për vendosjen e muralit në Beograd.

“Në qendër të Beogradit ekziston një simbol i mbështetjes së regjimit të Vuçiqit për të dënuarin për krime lufte Ratko Mlladiq. Kjo është një fyerje ndaj kujtimit dhe dinjitetit të viktimave të këtij krimineli lufte. Pa u marrë me të kaluarën, Serbia do të mbajë gjithmonë gjeneralë gjenocidialë si heronj të saj”, ka shkruar Vela.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë mural nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës e madje edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Deri në publikim të këtij shkrimi, figura e Mlladiqit vazhdon të qëndrojë në murin e një shtëpie në Zveçan e institucionet nuk janë përgjigjur ende.

Më 13 nëntor në Beograd organizata të ndryshme joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut e shumë qytetarë protestuan duke kërkuar heqjen e muralit kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, që është vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.

Protesta “Murali duhet të rrëzohet”, që u mbajt disa qindra metra larg nga murali kushtuar Mlladiqit, është një prej shumë tubimeve që qytetarët dhe OJQ-të kanë organizuar, pasi policia pengoi aktivistët që dëshironin të ngjyrosin mbi muralin në Ditën Ndërkombëtare Kundër Fashizmit, më 9 nëntor.

Organizatorët e protestës thanë se është koha që shteti i Serbisë të ndalojë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, për të cilin Ratko Mlladiq, si gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërspka, u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë. Protestuesit po ashtu kërkuan që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj krimeve të luftës, “t’u ngrejë monumente viktimave, jo kriminelëve”.

Ratko Mlladiqit i ishte konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për krimet e kryera në Srebrenicë.

Mlladiq ka qenë komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës serbe nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996.

Ai u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Mlladiq ishte dënuar me burg të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Gjatë këtij viti ishte konfirmuar dënimi ndaj të njëjtit.

Procesi kundër Ratko Mlladiq kishte nisur në maj të vitit 2012. Ai për 16 vite ishte në arrati ndërsa ishte arrestuar në maj të vitit 2011 në Serbi.

Për dënimin e kriminelit të luftës, patën reaguar edhe krerë të institucioneve të Kosovës.