Nacionalistët do të shfaqin film për Ratko Mlladiq që lavdëron forcat serbe në përvjetorin e Srebrenicës

Në përvjetorin e masakrave të Srebrenicës, disa kilometra larg vendit ku mbahet përkujtimorja e përvitshme, një grup nacionalist do të shfaqë një film që lavdëron forcat serbe të Bosnjës dhe të dënuarin për gjenocid Ratko Mlladiq për “çlirimin” e enklavës.

Organizata nacionaliste Alternativa Lindore tha se do të shfaqë një film për “çlirimin e Srebrenicës” nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995, një dokumentar që përfshin një fjalim të kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, në Srebrenicë më 11 korrik, në të njëjtën ditë kur aty pranë do të shënohet 27-vjetori i gjenocidit të boshnjakëve.

Alternativa Lindore tha se Mlladiç “luajti një rol historik në këto ngjarje” – marrjen e enklavës së mbrojtur të Srebrenicës nga forcat serbe të Bosnjës, e cila u pasua nga vrasjet masive të rreth 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Shfaqja e filmit një orësh do të bëhet në Qendrën Kulturore Serbe Despoti i Shenjtë Stefan Lazarevic në shtëpinë e famullisë ortodokse lokale në Srebrenicë. Vetëm pak kilometra larg, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, do të përkujtohet 27-vjetori i masakrave, të cilat u klasifikuan si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Vojin Pavlovic, kryetar i Alternativës Lindore, tha për BIRN se filmi do të tregojë dëshmitë e ushtarëve dhe gjeneralëve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të cilët morën pjesë në atë që ai e përshkroi si çlirimin e fshatrave serbe në këtë zonë në 1995.

Glorifikimi i kriminelëve të luftës u ndalua me ndryshimet në Kodin Penal të bëra vitin e kaluar nga zyrtari më i lartë ndërkombëtar i Bosnjës, Përfaqësuesi i Lartë. Por Pavlovic tha se beson se nuk do të ketë glorifikim të vrasjeve të boshnjakëve apo të Mlladiçit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e OKB-së në Hagë vitin e kaluar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera të kohës së luftës.

“Askush nuk e glorifikon krimin, por ne po flasim për krimin kundër serbëve të kryer nga Ushtria Boshnjake nga zona e mbrojtur nga komuniteti ndërkombëtar, ku ata vranë serbë”, thotë Pavlovic.

Munira Subasiç, presidente e Shoqatës Nënat e Enklavave të Srebrenicës dhe Zepës, tha se shfaqja e filmit është një shembull tjetër i përpjekjeve për të mohuar gjenocidin pavarësisht provave për atë që ndodhi në 1995.

“Ka varre masive, ka gurë të bardhë varresh në Potocari ku janë varrosur mijëra viktima, ka prova, ka vendime, ka gjithçka”, tha Subasiç.

Pavlovic tha se Alternativa Lindore ka shënuar “Ditën e Çlirimit të Srebrenicës” për pesë vitet e fundit dhe këmbënguli se nuk është kundër ligjit.

Ai tha se organizata kishte informuar Ministrinë e Brendshme për eventin, por Administrata e Policisë së Zvornikut tha për BIRN se nuk ka marrë asnjë njoftim.

Mitropolitana e Dabro-Bosnjës, e cila është përgjegjëse për aktivitetet e kishës në komunën e Srebrenicës, nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN në lidhje me shfaqjen e filmit në shtëpinë e famullisë.

As kryetari i komunës së Srebrenicës, Mladen Grujuciç, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Amendamentet në Kodin Penal të Bosnjës të vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë në korrik 2021 ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, dhënien e çmimeve, medaljeve përkujtimore ose çdo nderi tjetër për një person të dënuar sipas një vendimi të formës së prerë për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose një krim lufte./BI