Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Gjendet një automjet i dyshimtë në Banjskë, dyshohet se posedon armatim

Policia e Kosovës ka gjetur të hënën një automjet të dyshimtë në Banjskë të Zveçanit, brenda së cilit dyshohet se ka armatim.

KALLXO.com mëson se automjeti është gjetur në lokacionin nga fshati Banjskë, rrugës për Izvor, një ditë pas sulmit terrorist të grupit të armatosur serb, nga i cili mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës prezantoi arsenal armësh e pajisjesh tjera, përfshirë automjete, harta, ushqime e medikamente, që posedonte grupi i armatosur në fshatin Banjskë të dielën.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.