Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orë, 4 të arrestuar

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24-orëve të fundit në tërë vendin.

Policia ka bërë të ditur se rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Shtime e Malishevë, ndërsa janë arrestuar 4 persona si të dyshuar për dhunë në familje.

Në Prishtinë është arrestuar një person i dyshuari se ka sulmuar fizikisht një grua. Policia thotë se e lënduara ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po ashtu në Prishtinë, një grua ka raportuar në Polici se ndaj saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike dy të dyshuarit. “Viktima pas trajtimit mjekësor me pëlqimin e saj është dërguar në strehimore”- thuhet në njoftim.

Ndërsa të dyshuarit, sipas Policisë ndodhen në arrati, ndërsa rasti është nën hetime.

Në Lipjan, një i dyshuar ka tentuar ta largojë me dhunë nga shtëpia një grua. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër i dhunë në familje ka ndodhur në Lipjan. “Viktima, mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike” – thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, nuk raportohet për të lënduar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në Shtime, një grua ka njoftuar Policinë se pas një fjalosje është sulmuar fizikisht nga një person.

I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë është arrestuar një e dyshuara pasi që pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruaje tjetër. Sipas Policisë, e lënduara ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.