Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, më 27.05.2024 - Foto: ZPRK

Presidentja takoi kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, folën për reformën në drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takime veçmas kryesuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe Albert Zogaj, sot më 27.05.2024.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, presidentja me ta ka diskutuar edhe për procesin e reformës në drejtësi. E para e shtetit ka theksuar nevojën që reforma të përmirësojë efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien.

Osmani ka përmendur edhe nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes institucioneve për të luftuar dhunën në familje e në baza gjinore, të cilat presidentja konsideron se kanë marrë përmasa alarmuese.

Kjo luftë, sipas saj, bëhet duke siguruar përgjigje të shpejta dhe efektive ligjore për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët.

“Në takim me KPK-në është diskutuar edhe për rëndësinë e trajtimit të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, duke pasur parasysh se disa nga dëshmitarët dhe të mbijetuarit po vdesin prandaj është urgjente që të mblidhen të gjitha dëshmitë për krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit”- thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, më 27.05.2024 – Foto: ZPRK