Plagosja në afërsi të Gjykatës së Dragashit, çka tha i akuzuari në seancën fillestare?

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca fillestare në rastin e të pandehurit Omer Muhameti, i cili akuzohet për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, i pandehuri veprat penale i ka kryer më 26.04.2024 kur, sipas Prokurorisë, kishte tentuar ta vriste Kadri Qusajn.

Rasti pretendohet të ketë ndodhur në afërsi të Gjykatës së Dragashit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 04.06.2024, janë paraqitur Kadri Qusaj (që ishte plagosur më 26 prill), së bashku me të bijën dhe avokatin e tyre. Po ashtu, në seancë ishin edhe i pandehuri Omer Muhameti (i cili është në paraburgim), dhe avokati i tij Xheladin Osmani.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e shqyrtimit të sotëm fillestar në të cilën Omer Muhameti është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes në tentativë ndërsa e ka pranuar veprën – armëmbajtje pa leje.

“Pas konsultimeve me të mbrojturin tim, ai nuk e pranon fajësinë për tentim vrasje, ndërsa sa i përket armëmbajtjes pa leje këtu i mbrojturi im e pranon fajësinë” – ka thënë avokati Xheladin Osmani në seancë, ndërsa me ketë deklarim është pajtuar edhe i pandehuri Omer Muhameti.

Aktakuza ndaj Omer Muhametit u ngrit më 21.05.2024 nga prokurori Mehdi Sefa i Prokurorisë së Prizrenit.

Kjo aktakuzë u ngrit vetëm pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin për dosjen e plagosjes në Dragash.

Hulumtimi: Prokurori në përgjime synon ta mbyllë rastin me negocim

Hulumtimi i KALLXO.com flet për neglizhencën e Policisë për të ndaluar një person, konkretisht Omer Muhametin, i cili para se të hynte në një seancë për besimin e fëmijës me ish-bashkëshorten e tij H. Qusaj, ai e kishte kërcënuar këtë të fundit me fjalët: “Ke me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ke me pa kush jam unë e kush je ti”.

Këto fjalë dëgjohen duke i thënë Omer Muhameti sipas një video-incizimi, të cilin e kishte siguruar Kallxo.com.

Pamjet ishin brenda objektit të Gjykatës së Dragashit dhe ishin marrë më 26.04.2024.

Gjithashtu hulumtimi zbardh se si prokurori nga Prizreni, Usein Veliji, është incizuar teksa mundohej ta bindte babanë e H. Qusaj, viktimë e dhunës në familje, që të hiqte dorë nga ndjekja penale.

Ai i kërkonte babait të viktimës, Kadri Qusajt, që të pajtohej me njeriun që para disa ditësh e kishte kërcënuar me vrasje, Omer Muhametin, dhe që i njëjti në të kaluarën ishte dënuar për kërcënime ndaj vajzës së tij.

Disa javë pas tentativës së prokurorit për pajtimin e të pandehurit me viktimën, kërcënuesi Omer Muhameti e qëlloi me pistoletë Kadri Qusajn. Plumbi i shkrepur depërtoi shumë afër zemrës.

Një hulumtim i emisionit “Kallxo Përnime” ka zbardhur trajtimin skandaloz që institucionet, përfshirë Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën, i dhanë këtij rasti duke dështuar në hetimin e dorasit dhe mbrojtjen e viktimave.

Vajza e Qusajt ishte ndarë nga Omer Muhameti disa vite më parë, ndërsa për rastin u zhvilluan disa procese gjyqësore, ku Omer Muhameti u dënua vetëm me dënime të kushtëzuara të cilat nuk patën efekt.

Më 20.01.2024, Omer Muhameti pas disa dënimesh e procesesh gjyqësore e kishte thirrur në telefon ish-vjehrrin e tij. Kadri Qusaj kujton telefonatën të cilën e ka edhe të incizuar.

“A po më nin po thom? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e të vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- i ishte drejtuar përmes telefonit Omer Muhameti ish-vjehrrit të tij Kadri Qusaj më 20.01.2024.

Telefonata ishte raportuar tek autoritetet ndërsa “Kallxo Përnime” zbardh se prokurori Usein Veliji e kishte telefonuar viktimën me kërkesën që rasti të dërgohej në ndërmjetësim.

Situata nuk ishte rregulluar as në javët në vijim. Më 24.04.2024 palët ishin ftuar në Gjykatë për një çështje të besimit të fëmijëve. Në korridorin e Gjykatës, Omer Muhameti është filmuar duke bërë kërcënime serioze ndaj ish-gruas së tij, H. Qusaj.

“Ke me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ke me pa kush jam unë e kush je ti” – dëgjohet duke thënë Omer Muhameti.

Kërcënimet kishin vazhduar edhe në seancë gjyqësore.

“Kjo ka me shku në vorr e unë në burg. Gjyqtarja ia ka tërhequr vërejtjen i ka thanë: Këqyre çka je tu bë, a mundesh me vazhdu seancën sepse ai nuk e ka pasë avokatin e vet” – rrëfen H. Qusaj.

Seanca sipas dëshmitares ishte ndërprerë ndërsa vajza dhe babai kërkuan ndihmën fillimisht të Gjykatës e më pas të Policisë.

“Unë i kam thanë gjyqtares: “Më fal a duhesh me thirrë ti Policinë apo kush më mbron mua se ky më kërcënoi në gjyq”. Më tha: “Unë nuk jam për me thirrë Policinë” Tha: “Janë organet e tjera që kujdesen për ty””- rrëfen viktima.

Tragjedia e familjes Qusaj do vazhdonte edhe pasi Policia ftohet për t’i mbrojtur ata.

Dy policë pa makinë i vijnë në ndihmë familjes. Ata i sugjerojnë viktimës që këmbë të shkojë në stacion për të dhënë një deklaratë, ndërsa babai mbetet i ekspozuar ndaj sulmuesit.

“Unë shkova me nxjerrë kerrin nga parkingu, veç kur e kam pa atë. Edhe unë e çela derën dhe dul e unë mendova që po del me bisedu, veç e ka shti kryet brenda edhe e nxjerri armën e unë kur e pash armën u nisa, e kur u nisa ai ka gjujtë, krisma ma theu xhamin dhe më kapi në pjesën e gjoksit, më hyri plumbi e më doli nga kjo pjesa tjetër”- shpjegon Kadri Qusaj duke treguar se nga i kaloi plumbi.

I plagosur në shumë afër zemrës, Qusaj rrugëtoi drejt stacionit të Policisë.

Aty për të nuk pati ambulancë ndërsa transporti për në spital u bë me makinën e tij.

“Baba erdh në stacion i plagosun, unë tuj bërtitë: “Thirreni ndihmën e parë!”. Tuj i bërtit Policisë se u doke sikur në zemër u plagos e ju thojsha: “Thirre ndihmën e parë!”. Ata s’kishin pasë kerr me çu as për ndihmë të parë babin, nuk kanë pasë kerr. E kanë marrë me kerr të babit e kanë çu me ia dhanë ndihmën e parë. Kanë shku e kanë çu në spital me marr ndihmën e parë”- thotë H. Qusaj.

Ajo rrëfeu për dështimin e Policisë për ta kontrolluar situatën dhe për t’i garantuar siguri familjes.

Omer Muhameti aktualisht është në paraburgim.

Problemet e vazhdueshme mes familjes Qusaj dhe Omer Muhametit

Dhuna në familje është shndërruar në problem serioz në Kosovë.

Në shumicën e rasteve të vrasjeve dhe plagosjeve hulumtimet kanë dëshmuar veprime joprofesionale të institucioneve të drejtësisë.

Edhe çështja Qusaj është në mesin e këtyre rasteve.

Dorasi i ngjarjes ka të paktën dy dënime me kusht ndërsa kërcënimi i fundit kishte ndodhur para katër muajsh. Më 20.01.2024, Kadri Qusaj kishte pranuar një telefonatë.

“Hej, o zotni, a je tu e pru qet vajzën a po t’them (fjala është për mbesën), a mos dil prej shpisë jam tuj t’thanë, qashtu jam tuj t’thanë unë. Mos ma ban punën ti m’u mshel në shtëpi. A po më nin po them? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e t’vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- ishin fjalët që Omer Muhameti i kishte drejtuar Kadri Qusajt.

Kjo bisedë ishte incizuar ndërsa menjëherë ishte njoftuar Policia për ngjarjen, por askush nga institucionet nuk e arrestoi Omer Muhametin, e as nuk i kreu kontrolle për armët.

“Nuk u arrestu atëherë. E kam incizimin, i ka thanë: “A po ma jep vajzën mos ma mbaj mëshel se unë kam me të vra kudo që të za në lulë të ballit”. E ka thirrë me zë, videon e kam incizimin. Jo nuk e kanë arrestu, Policia po thotë: “Na nuk kemi diçka në dorë, krejt çka na thotë prokurori ne bëjmë”. Unë kam qenë jam anku, kam thanë: “Çka është puna, ai po më kërcënon, kam dy urdhër mbrojtje, e kanë dënu 300 euro, send nuk i kanë bërë”- rrëfen H. Qusaj.

Pasi rasti ishte raportuar, kallëzimi penal ishte dorëzuar në Prokurorinë e Prizrenit, rasti i ishte ndarë prokurorit Usein Veliji.

Ai kishte telefonuar Kadri Qusajn si palë e dëmtuar në atë kohë pasi ishte kërcënuar dhe i kishte ofruar mundësinë që rasti të dërgohet në ndërmjetësim.

”A ekziston ndonjë mundësi që ju me u pajtu, që mos me u marrë me kësi raste, ai mos me të kanosë dhe me kërku falje? Me qësi gjana, me kanosje e sulme, duhet me shku në procedura ligjore, me respektu njëri-tjetrin, ai ty mos me të kanosë, mos me të ngucë” – dëgjohet prokurori duke folur në telefon.

Kadri Qusaj thotë se nuk kishte pranuar që të shkonte përmes ndërmjetësimit pasi që kishte vazhdimisht kërcënime nga ish-dhëndri i tij.

“I kam tregu, i thash: “E di që ai ka tensionet e veta por me qeta s’un ia fali. Po e tha ai ka plot dosje, po ai ka kërku me ia falë ndërsa prokurori kërkojke ndërmjetësimin: A po don me ja falë e qështu”- shton Kadri Qusaj.

Prokurorit Usein Veliji nuk ka pranuar të komentojë bisedën e incizuar, ndërsa Prokuroria e Prizrenit është arsyetuar se ky veprim është bërë në kuadër të procedurave të zgjidhjes në formë alternative të rasteve.

Por, Prokuroria nuk ka sqaruar nëse masa të tilla alternative mund të përdoren për njerëz të dënuar me dënime me kusht siç është Omer Muhameti.

Sipas ligjit, në rastet kur personat e dënuar me kusht kryejnë vepra penale, ata duhet të kthehen në burg, ndërsa në rastet kur kërcënimet janë me vrasje prokuroria duhet të urdhërojë bastisje dhe kontrolle të detajuara për të verifikuar nëse personat janë të armatosur. Në rastin e Dragashit këto nuk kanë ndodhur.