Gërvalla pas takimit me homologun suedez: Biseduam rreth anëtarësimit të Kosovës në KE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billström.

Gërvalla ka thënë se mërgata në Suedi është ura më e mirë që lidh Suedinë me Kosovën.

Ajo ka thënë se në takim kanë diskutuar rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Biseduam rreth anëtarësimit të Kosovës në KE, kërkesa jonë pritet që një kohë jo të largët të kalojë nga Këshilli i Ministrave në asamblenë parlamentare, ne jemi të bindur që do të jetë një proces fer, dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor. Biseduam edhe për kërkesën për anëtarësim në BE, falënderojmë presidencës suedeze për mënyrën sesi e ka trajtuar këtë kërkesë”- ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që vizita e Billström në Kosovë ka ardhur një ditë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave.

“Biseduam me ministrin rreth zhvillimit të Kosovës, mërgatën aktive në Suedi në të gjitha fushat në ekonomi, arsim, Kulturës, sport. Ne mendojmë që mërgata jonë në Suedi është ura më e mirë që lidh Suedinë me Kosovën”- ka thënë ajo.

Lidhur me këtë çështje ministri Billström tha se do ta mbështesin si procedure të rregullt si çdo vend tjetër.

Kosova ka aplikuar më 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.