Gazetarja Adelinë Ahmeti rrëfen për sulmin ndaj gazetarëve nga persona të maskuar në veri
Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti, ka rrëfyer se çka ka ndodhur sot në komunën e Leposaviqit.
Ajo ka thënë se ekipet e mediave në vazhdimësi sot gjatë ditës janë sulmuar nga persona të maskuar derisa ishin duke raportuar nga vendi i ngjarjes.
“Ekipet e KALLXO.com janë shpërnda për me raportu se çfarë është duke ndodhur në komunat me shumicë serbe. Sot rreth orës 12:20 përveç ekipit tonë janë sulmuar të gjitha ekipet e gazetarëve prej personave të maskuar”- ka thënë ajo.
Ahmeti ka thënë se protestuesit i kanë gjuajtur gazetarët me mjete të buta e të forta.
Sipas gazetares së KALLXO.com, protestuesit kanë tentuar të marrin pajisjet të cilat mbajnë xhirimet e gazetarëve.
“Përveç që na kanë shty, kanë tentu me na marrë pajisjet me të cilat i kemi xhiru vazhdimisht. Kanë vazhdu me na gjujtë me gjësende të tjera, të forta e të lehta por edhe me vezë. Sulmet me vezë kanë qenë edhe mbremë”- ka thënë ajo.
Gazetarja Ahmeti ka thënë se pika më e sigurte në komunën e Leposaviqit është stacioni policor i cili gjendet rreth 300 metra larg komunës, aty ku qytetarët serb po protestojnë.
“Stacioni policor është 300 metra më larg dhe i vetmi vend i sigurte është stacioni policor. Tash nëse na ndodh diçka në komunë të Leposaviqit ne duhemi me vrapua 300 metra deri tek stacioni policor. Ne biseduam me ushtarët e KFOR ata na kanë thënë se ne mundemi me hy brenda komunës. Ndërkohë që e patëm sulmin na thanë që nuk kanë mandat me na mbrojt edhe neve”- ka thënë ajo.
Në emisionin “KallxoPërnime”, gazetarja tutje ka thënë se sot gjatë ditës ka pasë negociata mes KFOR dhe pjesëtarëve serb.
“Edhe dje edhe sot protestave në Leposaviq i kanë pri ish kryetari i komunës së Leposaviqit Zoran Todiq dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës Sllavko Simiq. Të dy disa herë janë taku më ekipet e KFOR-it. Tri kërkesat, me largu kryetarin, me largu policinë dhe me i hek rrethojat”- ka bërë të ditur ajo.
Sot në Leposaviq disa vetura të mediave janë demoluar nga protestuesit.
Federata Evropiane e Gazetarëve (IFJ) u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë se mund të raportojnë në mënyrë të sigurtë.
Aktet e dhunës ndaj mediave janë dënuar nga shumica e vendeve të QUINT-it, qeveria si dhe Organizata të ndryshme.