Gashi: Problemi më i madh në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë është ndërlidhja me tregun e punës

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka thënë se sfida më e madhe në arsimin e lartë në Kosovë është ndërlidhja me tregun e punës.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ shtoi se jeta dhe në përgjithësi teknologjia po evoluon shumë shpejt dhe kjo paraqet problem.

“Jeta, shkenca, teknologjia, arti, kultura, letërsia, evoluojnë shumë shpejt. Ky problem nuk është vetëm në Kosovë. Si shembull, e akreditojmë një program të teknologjisë së informacionit, aq e shpejtë është dinamika e zhvillimit të tekonologjisë dhe programeve sa që për tre vite, të gjitha ato planprograme mund të jenë të vjetërsuara”- ka thënë Gashi.

Gashi thekson se në kuadër të legjislacionit u kanë lënë që brenda afatit të akreditimit, institucionet munden që 30 për qind të programit ta përshtasin me nevojat e tregut të punës.

Ai shtoi se këtë vit MASHTI ka rekomanduar që në disa institucione të merren më pak studentë sesa në të drejtën e tyre, për shkak të nevojave të tregut të punës.

“MASHTI këtë vit për disa institucione të arsimit të lartë që kanë pasur kuota deri në 100, u ka rekomanduar se ju keni të drejtë t’i merrni 100, por nevojat e tregut janë shembull për 40, kjo ka ndodhur në Fakultetin Juridik dhe të Edukimit”- shtoi ai.

Derisa, sipas Gashit, kërkesa pë rritje kuotash ka pasur në mjekësi për shkak të largimit të mjekëve.

Sipas tij, këtë vit ne AKA kanë aplikuar me kërkesë për 250 studentë në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme nga 150 sa ka qenë, pasi në kolegje private ky drejtim nuk është.

Gashti potencoi se ekspertët ndërkombëtarë kanë thënë se Fakulteti ka kapacitet për 200 studentë, pasi për numër më të madh duhet të rrisë kapacitetet dhe infrastrukturën.