Gashi: Policia e Kosovës cak i sulmeve kibernetike

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Abdurrahim Gashi, në konferencën për siguri kibernetike “Cyber Zero”, e cila u mbajt më 04.03.2024, ka thënë se policia është cak i përditshëm i sulmeve kibernetike, duke tentuar të bëjnë qasje të paautorizuar në rrjetin e tyre.

Ai shtoi se infrastruktura e policisë është e mirë, por nuk ka siguri 100%.

“Ne sulme kemi vazhdimisht, çdo ditë, çdo minutë. Infrastruktura është e kënaqshme” – tha Gashi.

“Policia i ka mekanizmat e vet dhe e ka infrastrukturën qoftë harduerike, qoftë softuerike, qoftë burimet njerëzore për realizimin e detyrave të tyre, të cilat i kanë me mandat me ligjin e Policisë”- shtoi tutje ai.

Gashi ka thënë tutje se nuk mund të jap informacione nëse dikush është arrestuar për sulme kibernetike ndaj këtij institucioni por shtoi se deri tash s’kanë pasur rast të identifikojnë dikë që ka ndërhy në sistemet e Policisë apo edhe ka nxjerr ndonjë të dhënë nga sistemi kompjuterik i tyre.

Ai foli edhe për rrjedhjen e informacioneve nga vet policët, duke thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse Inspektorati Policor ka filluar ndonjë hetim lidhur me këtë çështje apo edhe është arrestuar dikush.

“Ndonëse policia funksionon me mekanizmat mbrojtës por nuk do të thotë që gjithmonë apo gjithçka mund të jetë funksionale 100%. Lidhur me këto raste nuk kam dëgju që ka filluar ndonjë hetim nga Inspektorati Policor, por edhe ne jemi të gabueshëm, por jemi të përmirësueshëm, në momentin që ne vërejmë që dikun ka një gabim apo lëshim qoftë njerëzor qoftë teknologjik, përmirësohemi duke mos kalu vazhdu me bo ndonjë vepër penale. Por unë nuk kam dëgju që ka filluar ndonjë hetim për rrjedhje të informacioneve apo që u arrestu dikush për këtë”- tha Gashi.

Ndryshe, prej 4 deri në 6 mars në Prishtinë u mbajt edicioni i tetë i konferencës ndërkombëtare për siguri kibernetike “Cyber Zero” në Ballkanin Perëndimor e organizuar nga Shoqata Kibernetike Shqiptare dhe Findbug.

Në këtë konferencë morën pjesë, zyrtarë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, zyrtarë të rrjetit social Tik Tok, ish zyrtarë të AKI-së dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.