Ganimete Musliu: Qeveria Kurti po mirëmban kriminalitetin në veri të vendit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, tha se Qeveria Kurti 1 dhe Kurti 2 po e mirëmbajnë kriminalitetin në veri të Mitrovicës.

“Kjo qeveri përmes deputetëve të saj ka marrë vendim për të ndryshuar ligjin për rimëkëmbje të inicuar nga PDK-ja. Kjo qeveri e kanë marrë një vendim dhe ai është vendimi për pagesën e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në veri. Qeveria Kurti 1 dhe Kurti 2 me këto para po e mirëmbajnë kriminalitetin në veri të Mitrovicës”, tha Musliu.

Gjatë interpelancës me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati  në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”, Musliu tha se në vend se të rritej mbështetja financiare për mjekët, policët e pensionistët ndodhi e kundërta, qeveria përgjysmoi mjetet për disa kategori e për disa i hoqi fare.

“Me këtë vendim janë fyer policët e është prekur dinjiteti i pensionistëve. Buxhetin për këto kategori qeveria e zvogëloi për 7 milionë euro. Me këtë logjikë qeveria Kurti po e qon në kolaps vendin”, tha ajo.