Gabim kardinal, Muzeu i Dëshmorëve në Prizren përurohet me gabim serioz drejtshkrimor

Komuna e Prizrenit ka përuruar sot Muzeun e Dëshmorëve në fshatin Landovicë. Porse, ajo që bie në sy, është se Komuna e Prizrenit, ka bërë një gabim të rëndë drejtshkrimor në mbishkrimin në hyrje të Muzeut.

Aty, siç mund të shihet edhe në foton poshtë artikullit, është shkruar ‘Muzeu i Dëshmoreve’, dhe në vend të shkronjës (ë) që do të duhej të ishte menjëherë pas shkronjës (r), kanë shkruar shkronjën (e). Me këtë gabim, Haskuka dhe Komuna e Prizrenit, kanë përjashtuar nga ky Muze dëshmorët (burra), sepse sipas mbishkrimit, ky del të jetë një Muze vetëm për dëshmoret gra.

Porse, në postimin bërë në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, Haskuka e ka shkruar drejtë fjalën ‘Dëshmorëve’, e që nënkupton se Muzeu është i gjithë dëshmorëve, gra e burra që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, 22 vjetorin e të cilës vendi po e kremton sot.

Si duket ky detaj, në një ditë kaq të rëndësishme për dëshmorët e vendin, i ka ikur Komunës së Prizrenit.

Pra, referuar postimit të Mytaher Haskukës, në këtë Muze do të ekspozohen dokumente dhe eksponate e të gjithë dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

“Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë”, ka shkruar Haskuka.

Ai tha se ky Muze është i pari i këtij lloji në Kosovë.

 

Haskuka: Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve