Ankesë pas ankese: Si u zvarrit tenderi i Komunës së Prizrenit për sigurim fizik?

Pas rreth 10 muaj betejë mes Komunës së Prizrenit, kompanive të sigurimit fizik të objekteve dhe Gjykatës së tenderëve, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën për sigurim fizik të objekteve shëndetësore. Derisa gjatë kësaj kohe, objektet e QKMF-së dhe QMF-ve në Prizren kanë mbetur pa sigurim fizik.

“Që nga muaji gusht [2022] nuk ka sigurim as nuk e kemi angazhu Policinë që kemi të drejtë që të kemi sigurim prej objekteve tjera që kemi mundësi po i kemi lënë faktikisht QKMF-të dhe QMF-të pa sigurim ku asnjë nuk ka pasur deri më sot” – ka thënë Isa Osmankaj, shefi i Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Prizrenit më 19 maj 2023.

Përgjatë këtyre 10 muajve, Komuna e Prizrenit i ka rivlerësuar tri herë ofertat e katër kompanive të cilat kanë aplikuar në tenderin për sigurim fizik të objekteve shëndetësore me numër të prokurimit 622-22-7983-2-2-1.

Një herë ka marrë vendim vet për t’i rivlerësuar pas kërkesave për rishqyrtim nga kompanitë ofertuese ndërsa dy herët e tjera rivlerësimi është bërë pas vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Derisa njëra nga kompanitë ofertuese ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj Komisionit vlerësues dhe zyrtarëve përgjegjës të prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Komuna e Prizrenit katër herë e ka ndërruar kompaninë që e ka rekomanduar për kontratë. Fillimisht, për kontratë është rekomanduar kompania “International Security Associacion ShPK” me ofertë në vlerë 79,518.72. Kishte oferta më të lira, porse Komuna e Prizrenit i kishte eliminuar nga gara.

Komuna e Prizrenit, pas kërkesës për rishqyrtim, kishte vendosur që procesin të kthejë në rivlerësim. Pas rivlerësimit të ofertave, Komuna e Prizrenit e ka rekomanduar për kontratë “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K” me ofertën në vlerë 76,661.76.

Edhe këtë vendim ja kishte rrezuar Organi Shqyrtues i Prokurimit duke e obliguar Komunën e Prizrenit që t’i rivlerësojë serish ofertat. Pas rivlerësimit, Komuna e Prizrenit ka rekomanduar për kontratë “MEB LLC & SAS ShPK” me ofertën në vlerë 76,185.60 euro, e cila në dy herët e para ishte shpallur e papërgjegjshme.

Edhe pas këtij vendimi kishte ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e cila kishte kërkuar që sërish oferta të rivlerësohen. Në rivlerësimin e fundit është rekomanduar për kontratë përsëri “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K”.

“Saga” e rivlerësimeve ka marrë fund këtu. Më 30 qershor 2023, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën në vlerë mbi 76,600 mijë euro me grupin e operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K.

Vendimi i parë – Rekomandimi i kompanisë më të shtrenjtë

I gjithë procesi për këtë aktivitet të prokurimit kishte filluar më 5 gusht 2022. Në tenderin për sigurim fizik të objekteve shëndetësore, kishin ofertuar katër operatorë ekonomikë dhe grupe të operatorëve ekonomikë.

Oferta më e lirë ishte ajo e MEB LLC & SAS ShPK në vlerë 76,185.60 euro; derisa “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K” dhe “Commando & Group for Security” kishin ofertat në vlerë identike, 76,661,76 euro; derisa “International Security Associacion ShPK” kishte ofertën më të shtrenjtë, në vlerë 79518,72”.

Pas hapjes së ofertave, më 19 shtator 2022, Komuna e Prizrenit e ka rekomanduar kompaninë me ofertën më të shtrenjtë “International Security Associacion ShPK”, si e vetmja kompani e përgjegjshme. Oferta e kësaj kompanie ishte 79,518.72, apo mbi 3 mijë euro më e shtrenjtë se ofertat e tri grupeve të operatorëve ekonomikë të tjerë që u eliminuan nga gara.

Të tri grupet e tjera të operatorëve ekonomikë janë eliminuar nga gara për arsye të ngjashme, skadimi i autorizimit për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës ose skadimi i autorizimit për shërbimet e tubimeve publike i njërit nga operatorët ekonomikë partnerë. Këtu bën përjashtim grupi ekonomik “Comando & Group for Security”, që përveç autorizimit, Komuna e Prizrenit ka renditur edhe arsye të tjera për eliminim nga gara.

Grupi i operatorëve ekonomikë “MEB LLC & SAS ShPK” u eliminua nga gara me arsyetimin se kompanisë “SAS ShPK” i ka skaduar më 11 shkurt 2020 autorizimi për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës dhe se nuk lidhet me numrin e licencës së lëshuar. Po ashtu, në vendimin për rekomandim të kompanisë fituese, Komuna e Prizrenit ka potencuar se kompanisë “SAS ShPK” i ka skaduar më 2 tetor 2019 edhe autorizimi për shërbimet e tubimeve publike dhe se e njëjta nuk lidhet me numrin e licencës së lëshuar.

Grupi i operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K është eliminuar me arsyetimin se kompanisë “Skyfterat – Live ShPK” më 21 maj 2022 i ka skaduar autorizimi për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës dhe e njëjta nuk lidhet me numrin e licencës së lëshuar.

Drejtori i kompanisë “Jaguar Security Sh.P.K”, e cila është eliminuar në fillim nga gara, Amir Tershani, ka thënë se shkeljet kanë ekzistuar që nga fillimi i hapjes së procedurës.

“Është caktu një komision i cili nuk ka vlerësuar tenderë me standarde të rregullta, ka filluar me standarde të dyfishta, duke mos na bërë asnjë pyetje shtesë neve operatorëve. Të parin, të dytin, të tretin na eliminon si të papërgjegjshëm dhe e shpallë operatorin më të shtrenjtë fitues” – ka thënë Tershani.

Ndërsa grupi i operatorëve ekonomikë “Commando & Group for Security”, është eliminuar me arsyetimin se kompanisë “Commando ShPK” më 22 korrik 2022 i ka skaduar autorizimi për nisjen fillestare të veprimtarisë dhe e njëjta nuk lidhet me numrin e licencës. Po ashtu, më tej thuhet se as operatori tjetër ekonomik, “Group For Security SH.P.K”, nuk posedon  autorizim për nisjen fillestare të veprimtarisë.

Arsye tjetër për eliminimin e këtij grupi të operatorëve ekonomikë sipas Komunës është edhe skadimi i autorizimit më 13 janar 2022 i kompanisë “Group for Security” për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës dhe se e njëjta nuk lidhet me numrin e licencës. Në listën e arsyeve për eliminim është renditur edhe arsyeja që autorizimi për shërbimet e tubimet publike i lëshuar për kompaninë “Group for Security” nuk lidhet me numrin e licencës. Në fund është potencuar se mungon libreza për një veturë.

Kërkesa për rishqyrtim në Komunën e Prizrenit kanë dorëzuar të tri grupet ekonomike të eliminuara nga gara. Komuna e Prizrenit ka vendosur që kërkesat e tyre janë pjesërisht të bazuara dhe të bazuara dhe e ka kthyer procesin në rivlerësim.

Rivlerësimi i parë: Rekomandohet kompania që ishte shpallur e papërgjegjshme

Më 28 shtator 2022, Komuna e Prizrenit e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë që herën e parë e kishte eliminuar nga gara dhe e kishte shpallur të papërgjegjshme. Kësaj here për kontratë është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K” me ofertën në vlerë 76,661.76 euro.

Në procesin e rivlerësimit, Komuna e Prizrenit e ka shpallur të papërgjegjshme edhe kompaninë “International Security Associacion ShPK”, të cilën herën e parë e kishte rekomanduar për kontratë. “International Security Associacion ShPK” është eliminuar nga gara me arsyetimin se në dosje i mungon njoftimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për pajisje, se në dosje i mungojnë fotot për miniveglat dhe jelekun taktik dhe se në dosje i mungon organogrami i kompanisë ashtu siç është kërkuar nga AK në dosjen e tenderit.

Njëjtë si në vlerësimin e parë, komuna e Prizrenit i kishte eliminuar nga gara operatorët ekonomikë: “Commando ShPK & Group for Security” “MEB LLC & SAS ShPK”. Të dyjat kishin bërë kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Prizrenit, por kjo e fundit i kishte hedhur poshtë si të pabazuara. Më pas, më 12 tetor 2022, në lidhje me vendimin e Komunës s Prizrenit, Grupi i operatorëve ekonomikë “MEB LLC & SAS ShPK” ka deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Rreth dy muaj më vonë, më 15 dhjetor 2022, Gjykata e tenderëve e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Grupit të operatorëve ekonomikë “MEB LLC & SAS ShPK”. Me të njëjtin vendim e ka anuluar vendimin e Komunës s Prizrenit dhe e ka kthyer në rivlerësim tenderin.

Në këtë rast, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ia ka falur besimin ekspertit shqyrtues dhe ka vendosur në bazë të ekspertizës dhe propozimit të tij. Të gjitha arsyetimet e Komunës së Prizrenit për eliminim nga gara të “MEB LLC & SAS ShPK” janë vlerësuar si të paqëndrueshme.

Arsyeja e eliminimit për shkak të skadimit të autorizimit të “SAS ShPK” për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës dhe skadimit të autorizimit për shërbimet e tubimeve publike, në vendimin e OSHP-së është vlerësuar si i paqëndrueshëm. Aty potencohet se Licenca dhe Autorizimi janë dy gjëra të ndryshme.

“Licenca për shërbimet e vëzhgimit elektronik të pronës merret paraprakisht dhe si e tillë është në ofertë dhe afati i vlefshmërisë është deri më datë 11.02.2023, ndërsa Autorizimi për nisje fillestare merret në organin kompetent (MPB), konkretisht kur dihen klientët apo institucionet të cilat do të marrin shërbimet” – thuhet në vendim.

Në vendim është thënë se OE ankues po ashtu posedon edhe Licencë për shërbime gjatë tubimeve publike për shërbime private të sigurisë, e cila është e vlefshme deri më 2 tetor 2022.

“Domethënë se ka qenë e vlefshme gjatë kohës së vlerësimit” – theksohet në vendim.

Edhe arsyeja tjetër, se grupi i operatorëve ekonomikë në aspektin financiar nuk i plotëson kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimin për kontratë, është vlerësuar e paqëndrueshme. Sipas Komunës së Prizrenit, “MEB LLC & SAS ShPK” nuk e ka plotësuar kushtin që paga për 19 punëtorët e kërkuar të jetë 250 euro dhe të paguhen të gjitha kontributet e punëtorëve.

Derisa në vendimin e OSHP-së thuhet se Komuna e Prizrenit ka kërkuar që të bëhet kalkulim i pagës për 19 punëtorë për periudhën 12 mujore.

“Që nënkupton se për një pagë neto për një të punësuar me vlerë 250 euro për 12 muaj kostoja totale vjetore është 3,413.88 euro, ndërsa për 19 punëtorë kostoja totale e pagave është 64,863.72 euro, që rezulton me oferta nën çmimin e ofertuar” – theksohet në vendim.

Në vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së thuhet se Komuna e Prizrenit nuk i është përmbajtur kritereve kualifikuese dhe kritereve vlerësuese të përcaktuara në dosjen e tenderit. Këtë ata e kanë argumentuar me faktin se fillimisht për kontratë është rekomanduar kompania me çmimin më të lartë ndërsa të gjithë OE-të tjerë janë eliminuar si të papërgjegjshëm.

“Pas kërkesave për rishqyrtim, OE i cili ishte eliminuar fillimisht në vlerësimin e parë tani del i suksesshëm, ndërsa OE i cili ishte rekomanduar fillimisht për kontratë me rastin e rivlerësimit rezulton të jetë i papërgjegjshëm” – përfundon vendimi.

Rivlerësimi i dytë – Rekomandohet kompania që dy herë ishte shpallur e papërgjegjshme

Gjashtë ditë pas vendimit të Gjykatës së Tenderëve, më 21 dhjetor 2022, Komuna e Prizrenit e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë që dy herët e para e kishte shpallur të papërgjegjshëm, “MEB LLC & SAS ShPK”.

Kundrejt këtij vendimi në Komunën e Prizrenit kanë dorëzuar kërkesë për rishqyrtim dy grupe të operatorëve ekonomikë, “Commando ShPK & Group for Security” dhe “Jaguar Security SH.P.K.; Skyfterat – live SH.P.K”, e cila ishte rekomanduar për kontratë në procesin e parë të rivlerësimit.

Pas kërkesave për rishqyrtim, më 22 dhjetor 2022, Komuna e Prizrenit kishte publikuar njoftimin për pezullim të aktivitetit të prokurimit. Ndërsa më 28 dhjetor 2022, Komuna e Prizrenit kishte publikuar një njoftim për operatorët ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë tender. Në njoftim thuhet se AK ka parashtruar kërkesë për informata nga organet kompetente dhe janë në pritje të përgjigjes.

Më 4 janar 2023, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të dy kërkesat për rishqyrtim janë vlerësuar si të pabazuara. Ata kanë potencuar se mbeten në vlerësimin e bërë më herët.

Të dy grupet e operatorëve ekonomikë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Komuna e Prizrenit, më 10 janar 2023, kanë deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Dorëzimi i kallëzimit penal

Në ditën e njëjtë kur ka deponuar ankesë në OSHP në lidhje me tenderin, udhëheqësi i kompanisë “Commando”, Besim Shkurti, i ka thënë KALLXO.com se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Komisionit vlerësues dhe zyrtarëve përgjegjës të prokurimit në Komunën e Prizrenit.

“Për këtë rast diku më 10 janar kam paraqitur edhe kallëzim penal ndaj gjithë antarëve të Komisionit të vlerësimit, i cili ka qenë i njëjti më duket për tri herë radhazi të cilët kanë nxjerrë vendime të ndryshme duke më bërë dëmtimin e kompanisë time. Po ashtu kam dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj gjithë zyrtarëve përgjegjës të prokurimit, rastin e kam paraqitur edhe në policinë për krime ekonomike, janë në trajtim e sipër. Këtë procedurë besoj që do ta ndjekë deri në fund, derisa drejtësia të triumfojë” – është shprehur Shkurti për KALLXO.com më 8 maj 2023.

Por, shefi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj, ka thënë se gjatë gjithë këtij aktiviteti të prokurimit është ndërruar edhe Komisioni i vlerësimit.

“Komisioni është ndërru se ata anëtarët e Komisionit me shkrim kanë kërku me i zëvendësu sepse dy herë kanë vendos për këtë proces dhe dy herë OSHP-ja ua ka hedhë poshtë vendimet e tyre. Kanë thënë ne nuk jemi të interesuar më me vazhdu me nxjerrë vendime e me na gjujtë dikush poshtë” – ka thënë Osmankaj më 19 maj 2023.

Komisioni i parë është përbërë nga Fjolla Berisha, Fatlum Berisha dhe Eshref Kryeziu, ndërsa komisioni i dytë është përbërë nga Agim Gurmani – mjek, Shpresë Thaçi – infermiere dhe Arben Kyqyku – infermier.

Vendimi i dytë i OSHP-së – Kthimi në rivlerësim për herë të dytë

Pas rreth tre muajve nga deponimi i ankesave, më 20 prill 2023, OSHP për të dytën herë e ka anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për dhënie të kontratës dhe e ka kthyer serish tenderin në rivlerësim. Po ashtu, Paneli Shqyrtues ka kërkuar nga AK që të njëjtit të jenë të vëmendshëm gjatë procedurave të prokurimit publik në të ardhmen duke respektuar në përpikëri Ligjin e Prokurimit Publik dhe rregullat e zbatueshme. Po ashtu i ka urdhëruar të njëjtit të veprojnë në harmoni me rekomandimet e dhëna në këtë vendim.

“Në të kundërtën Organi Shqyrtues i Prokurimit, ka të drejtë të kërkojë ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të prokurimit” – përfundon vendimi.

Në vendimin e saj, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se Grupi i operatorëve ekonomikë i rekomanduar për kontratë “MEB LLC & SAS ShPK” është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit. Në vendimin e OSHP-së thuhet se grupit të operatorëve ekonomikë “MEB LLC & SAS ShPK” të rekomanduar për kontratë i mungojnë miniveglat, jelekët taktikë si dhe mbrojtës.

“OE i rekomanduar i mungojnë këtë dëshmi lidhur me këto pajisje” – vazhdon vendimi.

Paneli Shqyrtues ka konstatuar se dy nga tre punëtorët, emrat e të cilëve janë dorëzuar si persona të certifikuar, nuk figurojnë në organogram, siç kërkohet në dosje të tenderit.

“Në organogram nuk janë të përfshirë dy personat e tjerë” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Po ashtu, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se OE i rekomanduar nuk ka ofruar dëshmi për menaxherin për shërbimet e specializuara sipas kërkesave të vendosura në dosjen e tenderit. Nuk janë dorëzuar dëshmi se ai ka përvojë minimumi 3 vjet, CV-në, diplomën e shkollës së mesme, certifikatat e licencat adekuate.

“Mbi këtë bazë PSH konstaton se pretendimi ankimor është i bazuar” – vazhdon më tej vendimi.

Rivlerësimi i tretë – Rekomandohet e njëjta kompani si në rivlerësimin e parë

Pa u bërë 15 ditë nga vendimi i OSHP-së, më 4 maj 2023, Komuna e Prizrenit ka dalë me vendim pas rivlerësimit. Ata kanë rekomanduar për kontratë Grupin e operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K & Skyfterat – Live SH.P.K” me ofertën në vlerë 76,661.76 euro. Ky grup i operatorëve ekonomikë ishte rekomanduar për kontratë edhe pas procesit të parë të rivlerësimit që ishte kryer nga Komuna e Prizrenit, më 28 shtator të vitit 2022.

Të njëjtën ofertë e kishte edhe Grupi i operatorëve ekonomikë “Commando ShPK & Group for Security”, por ata janë njoftuar se oferta e tyre nuk ishte e suksesshme në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat e dosjes së tenderit.

“Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana juaj nuk qe i suksesshëm, ngase tenderi juaj [nuk qe më i favorshmi nga aspekti  ekonomik] [ nuk qe tenderi me çmimin më të ulët] në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat” – thuhet në vendimin e Komunës së Prizrenit.

KALLXO.com e ka marrë një sqarim nga Komuna e Prizrenit se si është caktuar se cili nga ofertuesit që kanë rastisur të kenë çmimin e njëjtë duhet të rekomandohet për kontratë.

“Po, është neni 40 pika 9 e LPP që thotë nëse ofertat kanë qenë të njëjta atëherë vlen parimi kush e dorëzon ofertën i pari. Në kushte të barabarta ai që dorëzon ofertën i pari ka përparësi kur është çmimi i njëjtë këto raste rrallë ndodhin mirëpo ka ndodh” – ka thënë Isa Osmankaj nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Grupi i operatorëve ekonomikë “MEB  L.L.C. & SAS SH.P.K” që herën e fundit ishte rekomanduar për kontratë, është eliminuar me arsyetimet që janë përmendur edhe në vendimin e OSHP-së. Kompania “International Security Association” SH.P.K., është eliminuar për të njëjtat arsye që ishte eliminuar edhe në procesin e parë të rivlerësimit, që ishte zhvilluar më 28 shtator 2022. “International Security Associacion ShPK” është eliminuar nga gara me arsyetimin se në dosje i mungon njoftimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për pajisje, se në dosje i mungojnë fotot për miniveglat dhe jelekun taktik dhe se në dosje i mungon organogrami i kompanisë ashtu siç është kërkuar nga AK në dosjen e tenderit.

Kundrejt këtij vendimi të AK-së, në Komunën e Prizrenit ka dorëzuar kërkesë për rishqyrtim “MEB  L.L.C. & SAS SH.P.K” më 9 maj 2023. Më 10 maj 2023, Komuna e Prizrenit ka nxjerrë vendim për pezullim të aktivitetit të prokurimit për shkak të kësaj kërkese. Më 11 maj 2023, Komuna e Prizrenit ia ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën “MEB  L.L.C. & SAS SH.P.K”.

E njëjta, më 19 maj 2023 ka deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundrejt vendimit të Komunës së Prizrenit në të cilin ka rekomanduar për kontratë “Jaguar Security SH.P.K & Skyfterat – Live SH.P.K”. Por, më 23 qershor 2023, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur që ta hedhë si të palejuar ankesën e “MEB L.L.C.” dhe e ka vërtetuar vendimin e Komunës së Prizrenit, në të cilin e ka rekomanduar për kontratë Grupin e operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K & Skyfterat – Live SH.P.K”.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konsideruar se “MEB L.L.C.” nuk mund të konsiderohet palë e interesuar dhe se nuk ka nevojë të lëshohet në vlerësimin të pohimeve specifike të ankesës së tyre. Kjo sepse sipas tyre, të njëjtat janë jolëndore. Në vendimin e OSHP-së thuhet se OE ankues nuk ka arritur të dëshmojë, ta bind Panelin Shqyrtues se i njëjti është tenderues i përgjegjshëm me faktin se është konstatuar se nuk ka plotësuar kërkesat sipas dosjes së tenderit.

“Konsiderohet si palë pa interes juridik material” – theksohet në vendim.

Vendimi i OSHP-së i ka hapur rrugë Komunës së Prizrenit për nënshkrim të kontratës pas rreth 10 muaj. Kontrata në vlerë 76,661 mijë euro është nënshkruar me grupin e operatorëve ekonomikë “Jaguar Security SH.P.K & Skyfterat – Live SH.P.K” për një periudhë njëvjeçare.

Ky artikull është shkruar nga Kimete Hoti përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.