Prizren, ende s’ka vendim përfundimtar për mësimdhënësin që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënësen

Në fund të muajit korrik, KALLXO.com kishte raportuar rreth dyshimeve se një nxënëse e mitur është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës në Prizren.

KALLXO.com merr vesh se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nga komisioni disiplinor i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prizrenit.

Nga komisioni disiplinor kanë thënë që nga 28 korriku se do ta marrin vendimin përfundimtar.

Të kontaktuar nga KALLXO.com më 2 gusht nga komisioni kanë thënë se janë duke mbajtur seancë, në të cilën kanë qenë duke i intervistuar dy kujdestarë klasash dhe për pasojë nuk kanë pasur mundësi ta marrin vendimin gjatë asaj dite.

Sipas informatave të fundit, janë intervistuar dy kujdestarë klasash për faktin se në një klasë dyshohet se mësimdhënësi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve, ndërsa në një klasë tjetër dyshohet se mësimdhënësi e ka ngacmuar seksualisht nxënësen.

Kurse, nga dita e hënë, më 7 gusht, kanë thënë se do mundohen që brenda kësaj jave ta marrin vendimin përfundimtar.

Ndërsa, sot paradite kanë thënë se janë duke e përpiluar vendimin përfundimtar dhe se gjatë ditës do të vendosin për të.

Mirëpo, as sot nuk është marrë ky vendim dhe si rezultat ekziston mundësia që vendimi të merret nesër, më 11 gusht, gjithmonë sipas kontakteve me komisionin.

KALLXO.com e ka pyetur edhe Prokurorinë e Prizrenit për të kuptuar se ku kanë shkuar hetimet lidhur me këtë rast, mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar të ndajnë informata, me arsyetimin se “rasti është i ndjeshëm”.

“Ashtu siç jeni njoftuar nga komunikimet tona të fundit, ju njoftojmë edhe njëherë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren” – është përgjigjur Fitore Mehmeti, zyrtare për informim e Prokurorisë së Prizrenit.

Mësimdhënësi ka pranuar vetëm një vendim të marrë nga komisioni disiplinor, vendim ky që e ka pezulluar atë përkohësisht nga puna e mësimdhënësit që nga data 26 maj, deri në një vendim tjetër përfundimtar.

Deri më tani komisioni ka intervistuar edhe drejtorin dhe psikologen e shkollës e edhe mësimdhënësin.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 24 prill dhe tashmë janë bërë tre muaj që po trajtohet dhe hetohet edhe nga Policia dhe Prokuroria.