Kurti e viziton Prizrenin, pritet nga Totaj

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mjedisit, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit, Kurti këtë takim e ka cilësuar të përzemërt, dhe në të u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

“Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit”- thuhet në komun9ikatë.

Po ashtu, Kurti ka thënë se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ndërkaq, sipas komunikatës, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se “ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes.”

“Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” citohet të ketë thënë Totaj.

Më pas sipas komunikatës, kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e LVV-së Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.