Kryetari i ri i Listës Serbe, Zllatan Elek dhe ish-kryetari Goran Rakiq më 24 tetor, 2023. Foto: BIRN.

“Fytyra e re” e politikës së vjetër të Listës Serbe

Në pritje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Lista Serbe sot ka zgjedhur kryetarin e ri, Zllatan Elek, i cili shpërfaqi frymën e pararadhësve të tij – përderisa situata mes Listës Serbe dhe institucioneve në Kosovë mbetet e padisponuar.

Kryetari i ri i Listës Serbe, Zllatan Elek, gjatë pranimit të pozitës së re nuk doli jashtë shinave të paraardhësve të tij. Përkundrazi, Elek shprehu mirënjohjen për kryesinë e mëparshme të Listës Serbe, që sipas tij kanë treguar “luftën e tyre për interesat e popullit serbe në rrethana jashtëzakonisht të vështira”.

Pasuesi i Goran Rakiqit, Elek tha që në nën mandatin e tij Lista Serbe do të jetë selia rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe ashtu siç e quan ai ‘Metohi’, dhe se të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar, ashtu siç kishin thënë edhe parardhësit e tij.

Megjithatë, analisti serb nga Kosova, Branislav Kërstiq konsideron që përsëri nuk do të përfaqësohen kërkesat e serbëve të Kosovës, edhe pse është zgjedhur kryetari i ri.

“Ujku ndërron veshjen, por kurrë durimin. Asgjë e rëndësishme nuk do të ndryshojë me këtë rigjallërim të Listës Serbe. Është instaluar vetëm një bari i ri dhe dhentë për fat të keq janë të njëjta”- tha Kërstiq për KALLXO.com.

Në fund të vitit të kaluar, kur serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, Elek mori pjesë në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit 2022. Ai kishte thënë se “ne mbijetuam falë mbështetjes së lidershipit tonë, në radhë të parë presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Së fundmi Elek kishte thënë se për shkak të “terrorit të Kurtit”, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen me “katastrofë humanitare”, që sipas tij autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e barnave dhe materialeve mjekësore.

Elek që nga viti 2020 ka qenë drejtor i Spitalit në Mitrovicë të Veriut – institucion që funksionon me sistemin serb. Bazuar në njoftimin  e Listës Serbe, kryetari paraprak, Rakiq i cili mbajti katër vite mandat, nuk ka ndonjë pozitë më në kryesinë e partisë serbe në Kosovë. 

Nënkryetarë të Listës Serbe janë zgjedhur: Dragisha Miloviq, Ivan Zaporozhyats, Tanja Vujoviq, Dragana Antonijeviq, Dalibor Jevtiq. Ndërsa anëtarët e kryesisë së Listës Serbe janë zgjedhur: Gordana Saviq, Srdjan Popoviq, Srdjan Vuloviq, Nemanja Bisevaq, Slavko Simiq, Ivan Todosijeviq, Verica Ceraniq, Sinisha Laziq, Sasha Millosheviq. Kuvendi zgjedhor në këtë parti vjen pas vendimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Siç raportoi Kossev, Lista Serbe përmes një konference për media më 13 tetor 2023 janë shprehur se do të “dëgjojnë këshillën e presidentit Vuçiq” për pjesëmarrje në zgjedhje. Një ditë pasi presidenti serb u dërgoi një kërkesë serbëve – të shkojnë sa më shpejt në zgjedhje, gjegjësisht të “dalin” me iniciativa për organizimin sa më të shpejtë të procesit zgjedhor, Lista Serbe dëgjoi këtë “apel”.

Edhe pse është bërë një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Lista Serbe ende nuk është distancuar nga ish-nënkryetari Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës nga grupi terrorist serb dhe dha dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe. Përkundrazi, kjo parti kishte shpallur tri ditë zie për vdekjen e tre serbëve që morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Presidentja Vjosa Osmani kishte thënë që është për keqardhje që kjo parti nuk përfaqëson interesa të serbëve të Kosovë, por është vegël e Aleksandar Vuçiqit.

“Është për keqardhje që Lista Serbe në vend se të ishte një parti që lufton për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, është mjet i Vuçiqit për të luftuar paqen ën Kosovë”- kishte thënë Osmani në një intervistë për Radiotelevizionin Publik të Kosovës më 27 shtator 2023.

Në pushtetin aktual vazhdimisht ka përplasje me Listën Serbe, ndërsa në muajin e fundit pas rastit në Banjskë, një situatë e tillë veçse është thelluar më shumë. Kryesia e partisë serbe kishin deklaruar publikisht se nuk bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, sepse ajo “punon kundër interesave të popullit serb”. Ata kishin potencuar që qëllimi politik i këtij subjekti është rrëzimi i Qeverisë.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, vazhdimisht e ka cilësuar Listën Serbe degë e Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë dhe sipas Kurtit, qëllimi i tyre kryesor është që mos lejojnë asnjë parti tjetër të serbëve.

“Ajo nuk është parti e vërtetë. Synimi kryesor i Listës Serbe në Kosovë është që të mos lejojë asnjë parti tjetër të serbëve në Kosovë”- tha Kurti, në një intervistë për Al Jazeera më 29 shtator.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte thënë se Lista Serbe është “zhvlerësuar politikisht” dhe se bashkëpunon me grupe kriminale.

Lista Serbe nuk mori pjesë në zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe nën arsyetimin se nuk do të marrë pjesë derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Nga zgjedhjet e prillit 2023, të cilët u bojkotuan nga serbët, drejtimin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që më parë drejtoheshin nga përfaqësuesit e Listës Serbe, e morën katër shqiptarë. Kjo shkaktoi protesta të dhunshme të serbëve, gjatë të cilave mbetën të lënduar rretj 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues serbë. 

Lista Serbe është formuar në vitin 2013, dhe që atëherë, gati se në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, ajo ka fituar mbi 90 për qind të votave.