Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Fushë Kosovë, burri e gruaja dyshohen se sulmuan fizikisht njëri-tjetrin

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Në Fushë Kosovë, dje më datë 03.03.3024 dyshohet ka ndodhur një përleshje mes një burri dhe një gruaje.

Siç  njofton policia, pas një mosmarrëveshje verbale, të njëjtit kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.

Të dyshuarit pasi kanë marrë tretman mjekësor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt, siç ka njoftuar  policia.

Një burrë nga Prishtina, po ashtu dje më 03.03.2024, ka raportuar në polici se ishte sulmuar fizikisht dhe psiqikisht nga dy gra të tjera.

“Lidhur me rastin është arrestuar njëra e dyshuar dhe e njëjta pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.

E në Pejë, dje më 03.03.2024, sipas raportit të policisë, një burrë kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër.

Viktima nuk kishte pësuar lëndime dhe e njëjta ka refuzuar tretman mjekësor, njofton policia.

Ndërkaq, sipas njoftimit, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari tashmë është dërguar në mbajtje.

Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Malishevë, ku sipas policisë, një burrë me inicialet N.N kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj një gruaje tjetër.

Pas kësaj viktima kishte pranuar tretman mjekësor, ndërkaq siç  mësojmë nga policia, pas intervistimit të të dyja palëve, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po ashtu në Malishevë, dje më 03.03.2024 është raportuar edhe arrestimi i një të dyshuari tjetër, pasi që i njëjti, sipas policisë kishte sulmuar fizikisht një grua.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – ka njoftuar policia.

Një tjetër rast ka ndodhur në Gjakovë. Pas raportimit të policisë për dhunë në familje dhe përdorim të armës më 29.02.2024, policia po ashtu ka njoftuar se lidhur me këtë  dje më 03.03.2024 është arrestuar i dyshuari.

Pasi ishte bërë kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit, sipas policisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy pushka  ajrore dhe një pistoletë pa leje.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- është bërë e ditur në raportin 24 orësh të policisë.