Mbledhja e Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale. Foto: KALLXO.com.

Komisioni për Shëndetësi miratoi në parim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e sotme ka miratuar në parim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, duke arsyetuar projektligjin, tha se miratimi i këtij projektligji  konsiderohet me një ndikim të drejtëpërdrejtë në shëndetësi publike duke ofruar qasje më të përballueshme për popullsinë dhe për barnat e nevojshme.

“Miratimi i këtij projektligji konsiderohet me një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi publike duke ofruar qasje më të përballueshme për pupullatën, për barnat e nevojshme është parakusht për themelimin e sistemit për rimbursim të barnave si dhe krijon një infrastrukturë transparente për furnizimet e institucioneve shëndetësore publike me produkte medicinale”- tha Kollçaku.

“Me këtë projektligj përcaktohen çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licensuar farmaceutik, me shumicë dhe pakicë. Përcaktohet po ashtu që kostoja e barnave në tregun tonë privat të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit”- shtoi ajo.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu theksoi se vitin e kaluar kanë dërguar në Kuvend projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave dhe sipas tij nuk e kishin marrë përkrahjen e shumicës.

“Janë bërë më shumë se një vit që kur ne si PDK kemi dorëzuar në Kuvend projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave. Për fat të keq nuk është mbështetë në atë kohë nga mazhoranca. Them me bindje të plotë se projektligji që është sjellë nga Ministria e Shëndetësisë është shumë më i dobët se sa ai që e kemi dorëzu ne”- tha ai.

Sipas Haxhiut, projektligji siç është aktualisht favorizon kompanitë e mëdha dhe është në disfavor të voglave.

“Ky projektligj i rregullon deri në një masë çmimin e barnave deri në një masë por i favorizon oligarkët e tregut farmaceutik duke iu jepur mundësi që profitet të jenë deri në 70%, ndërsa ata me pakicë e kanë profitin deri në 25%. Ky model kështu i favorizon kompanitë e mëdha dhe është në disfavor të të voglave”- deklaroi ai.

“Projektiligjin që e kemi dorëzuar një vit më përpara e kemi këtu dhe do t`ua dorëzojmë edhe të shkruar për ta pasuruar këtë projektligj, sepse kështu aktualisht ka disa mangësi që duhet të rregullohen”- tha mes tjerash Haxhiu.

Kurse, anëtari nga radhët e AAK-së, deputeti Shemsedin Dreshaj u shpreh se projektligji i sotëm nuk ka përfshirë asnjë nga rekomandimet nga debati publik.

“Ajo që e kam vërejtur tek projektligji është se forma që e kemi ne ka qenë forma që është paraqitë në debat publik dhe asnjë prej rekomandimeve të palëve të interesit nuk është futë në këtë formë që e kemi ne”- ka thënë Dreshaj.

“Do të ishte vërtetë më mirë sikur të kemi ligjin edhe për barna dhe produkte medicinale që të dyja njëkohësisht t’i harmonizojmë dhe ecim përpara me to”- shtoi ai.

Projektligji u miratua nga të gjithë deputetët që ishin prezentë, të cilët u dakorduan se do të japin rekomandimet dhe kontributet e tyre kur projektligji të përfshihet në seancën e Kuvendit të Kosovës.