Shtatorja e heroit Kadri Zeka në Gjilan. Foto: Screenshoot.
‘Flaka e Janarit’, inaugurohet shtatorja e heroit Kadri Zeka
Në Gjilan sot është inauguruar shtatorja e dëshmorit Kadri Zeka.
Kadri Zeka është vrarë bashkë me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla në një atentat në një qytezë të Frankfurtit në Gjermani më 17 janar 1982.
Dyshohet se atentatin e kanë kryer shërbimet sekrete jugosllave.
Në ceremoninë e inaugurimit të shtatores morën pjesë personalitete politike, bashkëveprimtarë të Kadri Zekës, familjarë e qytetarë të shumtë.
Inaugurimi i shtatores është bërë nën kujdesin e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Gjatë fjalës së tij, Hyseni ka thënë se Kadri Zeka është model se si duhet dashur dhe mbrojtur atdheu.
“Modeli e shembulli i Kadriut qofshin rruga e brezave që po vijnë e janë. Puna e angazhimi jonë i përditshëm bëhen shumë më të lehtë kur je pranë dhe e ndjen prezencën e tij sot. Duke qenë se ai është i përhershëm, kjo ndihmon e lehtëson përkujtimin”- tha ai ndër të tjera.
Inaugurimi i shtatores së Kadri Zekës është bërë në kuadër të aktiviteteve të edicionit të 33-të të manifestimit mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit” që po mbahet në Gjilan.
Shumë aktivitete që do të mbahen dhe janë mbajtur në kuadër të “Flakës së Janarit” u kushtohen heronjve të Kosovës, duke përfshirë edhe heroin Zeka dhe vëllezërit Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, e shumë të tjerë.
Aktivitetet në kuadër të edicionit të sivjetmë të ‘Flakës së Janarit” do të mbahen edhe gjatë ditëve të ardhshme. Nesër do të nisë programi “Film Flaka”, ku për tri ditë rresht do të shfaqen disa filma të siguruar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Aktivitetet e manifestimit ‘Flaka e Janarit” mbyllen më 31 janar.