Ilustrim

FKEE pritet të kontraktoj mbi 205 mijë euro për verifikim të kursimit të energjisë në ndërtesat publike e ndriçim të rrugëve

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) pritet të bëjë testimin apo verifikimin e kursimit të energjisë nga projektet për kursim të energjisë në ndërtesat publike komunale, ndriçim të rrugëve, paneleve diellore në kulme.

Nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi”, në mesin e muajit mars të këtij viti, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë hapi tenderin me titull “Testi i performancës në fazën e komisionimit dhe matja dhe verifikimi për të konfirmuar kursimet e energjisë për projektet komunale të efikasitetit të energjisë (ndërtesat publike komunale, ndriçimi i rrugëve dhe PV në kulme”.

Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedurë e kufizuar e prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, tenderi ekonomikisht më i favorshëm.

Sipas njoftimit, kontrata iu është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “Plana-A Consulting” Sh.P.K. dhe “Energetski institut Hrvoje Požar” me vlerë të përgjithshme të kontratës 205,500 euro.

Sipas dosjes së këtij tenderi kërkohet të bëhet matja dhe verifikimi të nënprojekteve komunale të efiçiencës së Energjisë.

“Qëllimet e kësaj kontrate janë të ofrojnë shërbime inxhinierike për të zhvilluar metodologjinë, për të përgatitur dhe kryer (i) një test të performancës së masave të EE në fazën e komisionimit dhe (ii) M&V teknike gjatë operimit pas përfundimit të nënprojekteve komunale të EE, të cilat do të përfshijnë rinovimin EE të ndërtesave publike, përmirësimin e ndriçimit të rrugëve dhe instalimin e PV në kulmet”- thuhet në kërkesat e tenderit.

Tutje thuhet se nën paketën 1 dhe 2 të kësaj kontrate përfshihen të përfundohen 55 nënprojekteve komunale të EE [Efiçencës së Energjisë].