Foto: Kallxo.com

Fillon takimi Kurti-Mustafa, nuk dihet nëse do të arrihet marrëveshja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa kanë filluar takimin për finalizimin e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Para takimit, Kurti ka folur para mediave ku ka thënë se shpreson që sot do të merren vesh për ndarjen e përgjegjësive brenda qeverisë.

“Deri më sot ne kemi harmonizuar programin tonë qeverisës 100 për qind dhe uroj e besoj që sot ashtu siç jemi marrë vesh për programin qeverisës të përbashkët gjithashtu do të merremi vesh edhe për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv të atyre 12 ministri8ve për të cilat jemi marrë vesh”, tha Kurti.

Tutje Kurti u shpreh i bindur që shumë shpejt do të përfundojë edhe finalizimi i marrëveshjes pasi që sipas tij pjesa më e vështirë ka përfunduar.

“Këto bisedime do të fillojnë tash dhe do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme kur ti kemi rezultatet konkretë të tyre do të ju njoftojmë, tash na pret procesi i bisedimeve me ç’rast kemi zotimin që sa më parë e sa më shpejtë gjithçka të përfundoj ashtu siç dëshirojmë të dy subjektet tona duke pas parasysh që programin qeverisës pjesa më e vështirë tashmë është kryer”, tha ai.

Kandidati i VV-së për kryeministër Albin Kurti i pyetur se a do të nënshkruhet sot marrëveshja, tha se “Marrëveshja është mes dy palëve kështu që nuk mund të flas në emër të palës tjetër”.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë doli LVV e cila bashkë me LDK-në u dakoduan në parim që të formojnë qeverinë e re, tash e disa muaj grupet punuese janë takuar për të harmonizuar programin të cilin sipas tyre e kanë harmonizuar 100 për qind.

Tani takimet janë duke u bërë në nivel të kryetarëve për të diskutuar ndarjen e përgjegjësive, dialogun si dhe çështjen e presidentit.

Sot në ora 14:00 ‘takimi i madh’ LVV-LDK