Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq Foto: REL

Krivokapiq nuk ia dorëzon detyrën Abazoviqit, i lë letër kabinetit

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka njoftuar se dorëzimin e detyrës tek kryeministri i sapozgjedhur Dritan Abazoviq, nuk do ta bëj me anë të një cermonie.

Krivokapiq detyrën e ka dorëzuar te kryeministri i ri përmes një letre të cilën ia ka lënë te kabineti.

Ish-kryeministri ka thënë se procedura e emërimit të Abazoviqit ka shkelje kushtetuese.

“Dorëzimi i detyrës Kryeministrit si gjest protokollor praktikohet në kushte legjitimiteti të padiskutueshëm. Duke qenë se kemi shkelje të procedurave kushtetuese dhe procedurale, nuk dua të simuloj rregullsinë, t’i jap legjitimitet shkeljes së dukshme të demokracisë. Në kabinet kam lënë porosinë e qartë për fazën kalimtare”, ka shkruar Krivokapiq në Twitter.

Dy ditë më parë, në Kuvendin e Malit të Zi është votuar qeveria e re me kryeministër Dritan Abazoviqin.

Qeveria e re do të përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.