Sot në ora 14:00 ‘takimi i madh’ LVV-LDK

Dy partitë deri dje opozitare, sot fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, pritet të takohen sot për të nënshkruar një dokument mbi bashkëqeverisje për katër vitet e ardhshme.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin e Kosovës pritet që të përmbyllin ujdinë për të qeverisur me vendin.

Takimi në mes liderëve do të ndodh në ora 14:00. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Arlind Manxhuka nga zyra për medie e Vetëvendosjes.

Në takimin që u mbajt të shtunën ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, u tha se është përmbyllur 100 përqind harmonizimi i programit qeverisës, duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura, e poashtu edhe sa i përket kabinetit qeverisës, sipas të cilëve do të ketë 12 ministri.

Takimet në mes LVV-së dhe LDK-së kishin nisur para zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Por, atë kohë Kurti e Mustafa nuk u morën vesh për postin e kryeministrit. Andaj, në zgjedhje i provuan forcat si parti të ndara.

E, menjëherë pas rezultateve preliminare, grupe punuese nga dy partitë mbajtën një varg takimesh.

Për herë të parë në Kosovë, dy parti të ndryshme për nga orientimi ideologjik pritet të lidhin marrëveshje pë krijimin e qeverisë së pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.