Shqiptarët në Mal të Zi synojnë ngritje në përfaqësim në Qeverinë e re

Shqiptarët në Mal të Zi po shpresojnë se do të përfaqësohen më mirë pas formimit të Qeverisë së re.

Alternativa Shqiptare ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë, ku temë kryesore ka qenë Qeveria dhe formimi i saj, si dhe zgjedhjet lokale në Ulqin, Plavë dhe Tivar.

“Çfarë mund të themi për tashi, është se: shqiptarët do të jenë të përfaqësuar si asnjëherë më parë, edhe në nivel shtetëror dhe nga të gjitha trevat shqiptare”, ka shkruar pas takimit të Kryesisë Edon Balidemaj, nënkryetar i Alternativës Shqiptare.

Kuvendi i Malit të Zi e ka shkarkuar Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit më 4 shkurt.

 

Mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Krivokapiqit u propozua nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual, Milo Gjukanoviq.

Nuk përjashtohet mundësia që në krye të Qeverisë së re të vijë pikërisht Dritan Abazoviq.