Gaza, Foto: REL/RFE

Evakuohet edhe një familje shqiptare nga Gaza

Edhe një familje tjetër shqiptare është evakuuar nga Rripi i Gazës, njoftuan autoritetet e Shqipërisë.

Një çift dhe katër fëmijët e tyre tashmë gjenden në Egjipt dhe brenda 72 orësh do të nisen drejt Shqipërisë, tha ministri i Jashtëm shqiptar, Ilgi Hasani.

“Më në fund, Eiadi, gruaja e tij dhe katër fëmijët e tyre të mitur u larguan nga Gaza dhe do t’i bashkohen pjesës tjetër të familjes që kanë mbërritur në Shqipëri në fillim të këtij muaji”, shkroi Hasani në X, që më herët njihej si Twitter.

Ai tha operacioni për evakuimin e kësaj familjeje ishte sfidues, por u arrit falë bashkëpunimit të diplomatëve shqiptarë me ministritë e Jashtme të Izraelit dhe Egjiptit.

Radio Evropa e Lirë mëson se Eiadi është vëllai i gruas që u evakuua më 13 nëntor nga Gaza së bashku me katër fëmijët e saj. Familja e saj ishte e para që arriti të evakuohej drejt Shqipërisë. Në atë kohë, Ministria e Jashtme deklaroi se po bëhen përpjekje për të evakuuar nga Gaza edhe shqiptarë të tjerë.

Deri më tani nga Rripi i Gazës janë evakuuar 11. Më herët, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, deklaroi se nuk ka të dhëna për shtetas shqiptarë në Gazë, por kanë qenë vetë këta shtetas që kanë kontaktuar ambasadat në Izrael dhe Egjipt për të kërkuar ndihmë.

Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor nga Izraeli janë evakuuar mbi 70 shqiptarë.

Lufta, që tani gjendet në javën e shtatë, u nxit pas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit në jug të Izraelit, kur sulmuesit e këtij grupi vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 240 të tjerë.

Mbi 11.00 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, dy të tretat gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL