Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Euronews: Kriza valutore e Kosovës me Serbinë: Kush do të dalë fitues?

Në Ballkanin e trazuar, edhe çështjet e monedhës janë shndërruar në instrumente të mosmarrëveshjes politike. Cila palë do të dalë fituese në ngecjen aktuale mes euros dhe dinarit serb në Kosovë?

Në fund të janarit, nga Prishtina dolën raporte në lidhje me adoptimin e euros si monedhë zyrtare e Kosovës, duke shkaktuar konfuzion të madh tek shumë njerëz. Ky zhvillim nuk ka të bëjë vetëm me financat, por është i ngulitur në një kontekst më të gjerë. Pas ndërhyrjes së NATO-s kundër Beogradit në vitin 1999 dhe viteve të pranisë ndërkombëtare, Kosova e miratoi në mënyrë të njëanshme euron si monedhën e saj zyrtare në vitin 2002.

Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme për sovranitetin me Serbinë, Kosova nuk mundi ta zbatonte këtë në zonat me shumicë serbe, ku vazhdoi të përdorej dinari serb.

Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës thotë se adoptimi i euros kishte për qëllim ta forcojë sektorin e ri financiar, kalimin nga një ekonomi e parave të gatshme në një ekonomi bankare, arritjen e stabilitetit monetar dhe uljen e kostove të transaksionit.

Ky vlerësim mbështetet nga një raport i FMN-së, duke theksuar se euro ka rritur dukshëm stabilitetin makroekonomik të Kosovës. Konflikti i monedhës reflekton tensione më të gjera midis lidershipit serb dhe atij kosovar, duke hedhur dyshime mbi efektivitetin e dialogut aktual në Bruksel, nën kujdesin e BE-së, që synon zgjidhjen e ngërçit mes tyre, me përplasjet politike që shpesh ndikojnë në lidhjet ekonomike midis dy kombeve.

Importi vjetor i mallrave nga Serbia në Kosovë arrin në rreth 490 milionë euro, një shumë e konsiderueshme për ekonominë modeste të Kosovës.

Megjithatë, konkurrenca nga mallrat me origjinë nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po e rrit në mënyrë të vazhdueshme pjesën e tyre të tregut në Kosovë, duke sfiduar produktet serbe.

Përkundër kësaj, disa ekspertë kosovarë shpresojnë për ulje të varësisë nga tregtia serbe, megjithëse situata aktuale mbetet e frikshme.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ekonomia e Serbisë e kalon atë të Kosovës me gati 7 me 1, duke e bërë atë një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, të krahasueshëm me Shqipërinë, por që mbetet pas Gjermanisë. Si Kosova ashtu edhe Serbia përfitojnë nga tregtia e ndërsjellë, por përballen me kosto gjatë përplasjeve politike.

Në vitin 2024, mes përgatitjeve për zgjedhjet kryesore në Evropë dhe SHBA, të dyja palët kërkojnë t’i forcojnë pozitat e tyre.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga i kryeministri i vendosur Albin Kurti, synon ta integrojë veriun e Kosovës të populluar nga serbët, i përbërë nga katër komuna dhe rreth 50,000 banorë.

Përpjekjet e kaluara për integrim u përballën me rezistencë, duke përfshirë bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga serbët në veri të Kosovës, të organizuara nga grupet politike serbe të lidhura me Beogradin.

Tensionet u përshkallëzuan, duke çuar në protesta të dhunshme dhe një ngërç. Megjithatë, forcat e sigurisë së Kosovës ndërhynë, duke ndërprerë një operacion të armatosur paraushtarak të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, një biznesmen kontrovers dhe aleat politik i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vendimi për të prezantuar euron në të gjithë Kosovën rezultoi nga një operacion i dështuar, i perceptuar nga disa si i orkestruar nga Beogradi për ta ndarë veriun e Kosovës nga pjesa tjetër e vendit. Duke e kapitalizuar këtë situatë, autoritetet në Prishtinë morën masa, pasi Serbia u gjend në një pozitë të dobësuar. Banka Qendrore e Kosovës më pas e ndaloi përdorimin e dinarit si mjet ligjor.

Megjithatë, nga këndvështrimi i Kosovës, ky veprim nuk ndryshoi shumë, pasi kushtetuta e saj e mandaton përdorimin e vetëm të monedhës së autorizuar nga Banka Qendrore. Megjithatë, ndalimi i dinarit do ta kontrollonte efektivisht rrjedhën e financave nga Serbia, veçanërisht në institucionet serbe në pjesë të Kosovës nën kontrollin e qeverisë së Kosovës.

Gjorjde Gjukiq, profesor në fakultetin e ekonomisë në Beograd, vuri në dukje në fillim të shkurtit: “Implikimi politik këtu është se eliminimi i plotë i dinarit do të thotë se Republika e Serbisë humbet sovranitetin e saj monetar mbi atë pjesë të territorit”.

Ky zhvillim shkaktoi protesta në mesin e popullatës serbe, duke marrë mbështetje nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Rrjedhimisht, Prishtina e shtyu zbatimin e vendimit. Në fund të janarit, Quint – i përbërë nga Shtetet e Bashkuara dhe Katërshja e Madhe e Evropës Perëndimore (Gjermania, Franca, Italia dhe MB) – lëshoi një deklaratë të përbashkët duke mbrojtur shtyrjen e vendimit të Prishtinës për ta “lejuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

Në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, vendosja e transaksioneve të drejtpërdrejta të pagesave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vendimtare. Ky hap do ta racionalizonte bashkëpunimin ekonomik dhe do ta lehtësonte realizimin e katër lirive (lëvizja e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit), duke e përmirësuar përfundimisht cilësinë e jetës për të gjithë banorët e Kosovës.

Rritja e fluksit financiar midis Serbisë dhe Kosovës do të ndihmonte gjithashtu në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht i përhapur në rajonet veriore ku paqartësitë ligjore kanë vazhduar për dekada.

Institucionet kosovare e nënvizojnë rëndësinë e mbikëqyrjes së flukseve monetare si objektiv kyç të qeverisë së Kosovës duke shtuar se nevoja për të adresuar transferimin informal të fondeve nga Serbia, shpesh i kryer përmes kanaleve të paregjistruara dhe të palicencuara.

Banka Qendrore Serbe e ka refuzuar komunikimin e drejtpërdrejtë me autoritetet financiare të Kosovës, duke këmbëngulur që të gjitha çështjet financiare brenda juridiksionit të saj të adresohen në negociatat ndërqeveritare në Bruksel. Duke i kritikuar veprimet e Kosovës si “diskriminuese, të paligjshme dhe të egra”, institucioni kryesor financiar i Serbisë ka ngecur në fakt vendimin e Prishtinës për të miratuar euron.

Për të vendosur marrëdhënie financiare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, fillimisht mund të jenë të nevojshëm ndërmjetësit. Kjo mund të përfshijë krijimin e llogarive neutrale të pastrimit përmes bankave të kapitalit perëndimor dhe krijimin e një fondi mbështetës për t’i shlyer pretendimet e ndërsjella të borxhit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përpjekje të tilla do të kërkonin vullnet të fortë politik nga qeveritë e BE-së të përfshira në procesin e negociatave, si dhe rritje të angazhimit nga Uashingtoni.

Aktualisht, SHBA duket se heziton ta mbajë një qëndrim proaktiv, duke synuar ta ruajë një ekuilibër delikat midis qeverive kundërshtare.

Përderisa çështja e monedhës në Kosovë nuk është vetëm financiare, zgjidhja e saj është kruciale për rritjen ekonomike të Kosovës.

Megjithatë, koha ndikohet shumë nga konsideratat politike. Në fund të fundit, mënyra e futjes së euros në Kosovë do të varet nga niveli i përfshirjes dhe ndihmës financiare nga palët e interesuara perëndimore./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala