Escobar dënon sulmet ndaj ushtarëve të NATO: Njerëzit që i bëjnë ato duhet të mbajnë përgjegjësi

Gjatë konferencës për media natën e mbrëmshme, pas takimit me kryeministrit Kurti, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar foli edhe për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga protestuesit serbë në Zveçan javën e kaluar.

Ai dënoi sulmet ndaj ushtarëve.

“Sulmet ndaj ushtarëve të NATO-s janë absolutisht për t’u dënuar” – tha shkurtimisht Escobar.

Ai theksoi se kryerësit e këtyre veprave duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Njerëzit që i bëjnë ato duhet të mbajnë përgjegjësi” – shtoi ai.

Sot KFOR-i ka bërë të ditur se 15 nga 19 ushtarët e kontingjentit italian që u lënduan javën e kaluar gjatë protestave në veri të Kosovës janë kthyer në Itali për trajtim.

Ndwrkaq, Zëdhënësi i BE-së, Petar Stano, ka njoftuar se emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve ku këta të fundit janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?