15 ushtarë të lënduar të KFOR-it italian kthehen në Itali për trajtim

KFOR-i ka bërë të ditur se 15 nga 19 ushtarët e kontingjentit italian që u lënduan javën e kaluar gjatë protestave në veri të Kosovës janë kthyer në Itali për trajtim.

“Sot, 15 nga 19 trupat janë kthyer në Itali dhe janë transferuar në spitalin ushtarak italian “Celio” (ROLE 4) për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre” – është thënë në komunikatën e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar ushtarët italianë në Aeroportin e Prishtinës për t’u uruar edhe një herë shërim të shpejtë dhe të plotë.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO qëndron plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së dhe në sigurimin e kornizës së sigurisë të nevojshme që dialogu i udhëhequr nga BE-ja të ecë përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – është thënë tutje në komunikatë.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, të cilët janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.

 

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?