Epopeja e Rahovecit, Hoti: Kriminelët do të marrin atë që meritojnë

Në 22 vjetorin e masakrës së Rahovecit, liderët e vendit dhe të partive politike, kryeministri Avdullah Hoti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë përkujtuar të rënët.

Kryeministri Hoti ka thënë se kriminelët do të marrin atë që e meritojnë.

“Le të pushojnë në paqe këta martirë të lirisë. Kriminelët do të marrin atë që meritojnë. Drejtësia do të mbisundojë, si në tokë ashtu edhe në qiell”, ka shkruar kryeministri Hoti.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se dëshmorët janë ndërgjegjja e kombit dhe se dëshira e tyre për liri e ka mposhtur pushtuesin.

Haradinaj ka përmendur të gjithë emrat e të rënëve më 19 korrik 1998.

“Heroizmi i bashkëluftëtarëve në ato ditë korriku, mbetet i paharruar, ashtu siç mbetën të përjetësuar emrat e tyre: Hamdi Berisha, Habib Berisha, Agim Qelaj, Gani Paçarizi, Avdullah Bugari, Agim Kelmendi, Bujar Buzhala, Afrim Krasniqi, Sadik Shala, Ramadan Morina, Faik Rama, Gëzim Hamza, Mizair Isma, Remzi Ukshini, Liman Gegaj, Arian Brahimi, Bekim Isma, Bajram Veliu, Samir Nurkasa, Eshrefedin Kastrati, Gëzim Mullabazi, Xhafer Nurkasa dhe Xhevat Kasapi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka përkujtuar Epopenë e Rahovecit.

Limaj deklaroi se rënia e tyre heroike ishte goditje e madhe për të gjithë ne, por po kaq e madhe ishte vendosmëria për të vazhduar luftën  deri në fitore.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në Epopenë e Rahovecit, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta”, ka thënë Limaj.