Emërtimi i rrugëve në komunat me shumicë serbe – Në alfabetin latin apo cirilikë?

Komisioneri për gjuhët i Kosovës, Slavisa Mladenoviq i ftuar nw Kallxo Pwrnime ka konfirmuar se tabelat e dëmtuara do të rregullohen dhe se ky aksion tashmë ka filluar në të gjithë Kosovën.

Ndërsa ka shtuar se sa i përket renditjes së gjuhëve, ekziston qëndrimi nga kabineti i kryeministrit që gjithçka është në përputhje me ligjin dhe ashtu si e kërkon vet ligji.

“Me vendosjen e tabelave të reja garantohet barazia e gjuhëve ndërsa renditja e gjuhëve nuk është fare temë diskutimi. Qëndrimi ynë është më ndryshe nga qëndrimi i ministrisë dhe zyrës, respektivisht kabinetit të kryeministrit. Ata janë të qëndrimit që në këtë mënyrë është respektuar ligji dhe Kushtetuta dhe nuk ka rrethana të diskutueshme, ndërsa qëndrimi i zyrës sonë është që duhet të respektohet edhe neni 59 i Kushtetutës i cili përcakton që në komuna me shumicë serbe, renditja e emërtimeve të qyteteve duhet te jetë së pari në gjuhën serbe dhe më pas në gjuhën shqipe”, – ka thënë Mladenoviq.

Në pyetjen se a duhet shkruar gjuha serbe në alfabetin latin apo atë cirilicë, ai tha se pyetja e tij do të ishte nëse diku në ligj shkruan që alfabeti latin është alfabeti serb.

“Ekziston vetëm ligji i cili thotë “gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabeti i tyre”… Para se të vendoseshin tabelat e reja, emërtimet e vendeve në veri të Kosovës kanë qenë të shkruara në alfabetin cirilik dhe më pas në atë latin në tabela të verdha”, – tha ai

Ndër tjerash ka përmendur edhe Komunën e Graçanicës ku tha se tabelat që janë në juridiksionin e ministrisë kanë renditje ku së pari shkruan emërtimi në gjuhën shqipe dhe më pas në gjuhën serbe, në alfabetin latin, ndërsa shenjat që janë në juridiksionin e komunës janë në alfabetin cirilik dhe më pas në shqip

“…që sipas mendimit tim është e saktë. Kjo është një temë të cilën ne nuk e kemi trajtuar si prioritet për shumë arsye. Para se gjithash, konsiderojmë që ekzistojnë tema shumë më të rëndësishme në këtë moment sa i përket mosrespektimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve që ndikon shumë më shumë në drejta të tjera të komunitetit siç janë komunikimi mes policisë dhe qytetarëve, e drejta e përdorimit të gjuhës në gjykata, fakti që mosrespektimi i gjuhëve mund të ndikojë në shërbime shëndetësore, ose në qasje në drejtësi në përgjithësi. Megjithatë, përderisa ka ekzistuar ky balanc në gabime midis jugut dhe veriut, ne nuk kemi dashur që këtë temë ta ngritim në nivele të ndryshme pasi që, siç edhe po e shihni, ka shkaktuar reagime të shumta”, – Mladenoviq.

Ndryshe KALLXO.com më 14.03.2024 ka raportuar për vendosjen e tabelave që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht në Komunën e Leposaviqit.