Zëvendës-avokati i popullit kritikon procesin e emërtimit të rrugëve në veri – thotë se duhet të jenë edhe me alfabetin cirilikë
Zëvendësavokati i Popullit, Srdjan Sentiq ka thënë se shkrimi i gjuhës serbe është shqiptarizuar.
Këtë deklaratë ai e dha në emisionin “Kallxo Përnime’, në të cilin u diskutua për dezinformimin në komunitete në Kosovë.
“Të gjitha tabelat e institucioneve të Kosovës, madje edhe në komuna, shkrimi i gjuhës serbe është i shqiptarizuar, nuk shkruan Kosovo, por Kosova. Madje edhe në tabelat e vendosura në veri shkruan Kosova dhe jo Kosovo. Kjo është një gjë që unë sinqerisht nuk mund ta kuptoj”, tha zëvendësavokati i Popullit, Srdjan Sentiq.
Ai shtoi se çështja e gjuhës është shndërruar në një çështje teknike.
“I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që ta shikojnë pasaportën e tyre, letërnjoftimin e tyre, lejen e drejtimit të tyre dhe lejen e qarkullimit të tyre. Do të shohin se shkrimi në gjuhën serbe është i shkruar me alfabetin cirilik. Pse? Alfabeti cirilik është alfabeti zyrtar i gjuhës serbe edhe për mua është e paimagjinueshme që dikush ta kontestojë alfabetin e gjuhës serbe në vitin 2024. Pse do duhej që dikush ta kontestojë alfabetin e dikujt? Pse? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse çështja e gjuhës nuk është vetëm çështje e komunikimit, por e identitetit. Një prej shtyllave kryesore të identitetit është gjuha dhe nëse në këtë rast dikush dëshiron që në komunitetin serb t’i ndryshojë tabelat e shkruara në alfabetin cirilik, komuniteti serb këtë mund ta përjetojë si sulm ndaj identitetit. Kjo më tutje është një shembull ‘par excellence’ e sulmit ndaj të drejtave të njeriut. Konsideroj që këto nuk janë shembuj që duhen ndjekur. Unë nuk mund të besoj… E keni shembullin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, tabela me mbishkrim është e shkruar në alfabetin cirilik”, – tha ai.
Ai foli edhe për harmonizimin e gjuhës, që sipas tij nuk është duke ndodhur, duke shtuar që disa institucione thonë që nuk kanë buxhet apo kuadro për këtë gjë.
“Dhe vitin e kaluar, sipas detyrës zyrtare, pra ‘ex officio’, kemi bërë një raport me rekomandime që lidhen me respektimin e Kushtetutës dhe ligjit në Kosovë dhe nuk e dimë arsyen se pse ky harmonizim i gjuhës nuk është duke ndodhur. Ato çështjet teknike që nuk kanë buxhet, nuk kanë kuadro…Pse institucioni i Avokatit të Popullit ka staf dhe nuk ka probleme me buxhet? Pse gjykata Kushtetuese nuk e ka problemin me staf dhe me buxhet, ose pse Zyra për komunitete dhe kthim nuk ka probleme me staf dhe buxhet, por e kanë institucionet tjera? “Nuk kemi buxhet. Kemi probleme teknike. Nuk kemi kuadro.” Unë mendoj që kjo çështje mund të zgjidhet nëse…”, tha mes tjerash në Kallxo Përnime, zëendësavokati i Popullit, Srdjan Sentiq.
Ndryshe KALLXO.com më 14.03.2024 ka raportuar për vendosjen e tabelave që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht në Komunën e Leposaviqit.