Kurti nuk jep datë për betimin e kryetarëve të tjerë në veri: Kabinetet e tyre do të përfshijnë të gjitha etnitë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryetarët e sapo zgjedhur në katër komunat në veri do jenë në shërbim të të gjithëve dhe se kabinetet e tyre do të përfshijnë të gjitha etnitë.

Kurti shprehu keqardhje që dalja në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ka qenë e ulët.

“Zgjedhjet demokratike nuk janë vetëm e drejtë e qytetarëve, ato janë edhe obligim kushtetues dhe ligjor. Të mos harrojmë që njëherë janë shtyrë për katër muaj dhe nuk kishte kuptim të shtyheshin edhe një herë”- tha ai.

Sipas tij, qytetet nuk mund të lihen pa funksionim të komunës.

“Kushtetushmëria e Republikës sonë e ka të fuqishme komunën, dhe nuk mund ta lë qytetin pa komunë. Ne nuk mund të lejojmë vakuum që do e dëmtonte Republikën tonë. Unë u kam thënë të gjithë kryetarëve që kanë fituar në komunat në veri se funksioni i tyre nuk duhet të jetë me triumfalizëm, por me shërbim publik për të gjithë, pa dallim”- shtoi tutje Kurti.

Sipas Kurtit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erdin Atiq nuk është kryetar i shqiptarëve apo vetëm Vetëvendosjes, ai në kabinet do i ketë të gjitha etnitë dhe subjektet.

Kryeministri theksoi se shpreson që kështu të vazhdohet edhe me komunat tjera dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar të ruajnë paqen.

“Duam ligjshmëri dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar të ruajmë paqen. Do të bëjmë më të mirën e mundshme në ditët në vijim. Edhe nëse nuk e kemi legjitimitetin e plotë dhe gjendjen normale, ne duhet ta synojmë atë, jo me forcë e dhunë, por me dashamirësi”- u shpreh tutje Kurti.

Ai tha se nëse nuk ka përgjigje nga zyrtarë të partive serbe për t’u bërë pjesë e kabinetit, mund të ketë serbë tjerë që duan të bëhen zyrtarë.

“Drejtoritë nuk bën të jenë vetëm të një partie apo etnie. Të presim edhe pak ditë besoj që edhe nëse nuk do kenë përgjigje nga zyrtatët e një partie serbe atje, mund të ketë serbë të tjerë që duan të bëhen zyrtarë”- tha Kurti.

Ai potencoi se nuk mund të kemi objekte të blinduara sepse janë të gjithë qytetarëve.

Derisa, lidhur me atë se kur do bëhet organizimi i fillimit të qeverisjes në komunat tjera, Kurti tha se kryetarët do të koordinohen me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe se javën e ardhshme sqarohet situata.